Pamundësia e Trinitetit

Pamundësia e Trinitetit

Si matematikan, nuk mund të pranoja pa kritikë teorinë e Trinitetit, që paraqet mësimin bazë dhe dogmën e besimit kristian. Shpesh shtroja pyetjen, si është e mundshme që Zoti i Gjithëfuqishëm dhe Sovran është i detyruar që të jetë në Trinitet me origjinë të qartë njerëzore.
– Akademik Italo Chuissi (Muhammed Abdullah)

Ajni SINANI

Nën ndikimin e romakëve, që edhe pse pranuan krishterizmin nuk i braktisën zotat e tyre mitologjikë dhe nuk u bënë monoteistë të vërtetë, Kisha i inkorporoi dhe i transplantoi mitet e tyre brenda mësimit të saj. Kjo degjeneroi me futjen e mitit të Trinitetit si pjesë e pandashme e besimit të krishterë.
Ndërkaq Islami është kategorik në faktin se Zoti dhe krijesa nuk janë të njëjtë ontologjikisht, prandaj as Krijuesi nuk mund të transformohet në krijesë dhe as krijesa nuk mund të lartësohet ose të shndërrohet në Zot.[1] Kjo do të thotë se është e pamundur zbritja e Zotit në tokë ose inkarnimi i Tij në trupin e njeriut, gjegjësisht në trupin e Jezusit sikurse predikon doktrina e krishterë.

Si argument për inkarnimin e Zotit të krishterët marrin këto citate:
“E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”. (Gjoni 1/14). Shprehja “Fjala” te të krishterët merr kuptimin Zot sepse te Gjoni thuhet: “E Fjala ishte në Hyjin” (1/1).
Kështu fjalia merr kuptimin “Zoti u shndërrua në trup dhe banoi ndër ne”. Nga kjo ata konkludojnë se Zoti është inkarnuar në Jezusin, gjegjësisht Jezusi është Zot.[2] Sipas të krishterëve monofisitë, Jezusi ka vetëm një natyrë dhe ajo është natyra hyjnore, d.m.th ai është vetëm Zot. Kurse sipas të krishterëve nestorianitë Jezusi ka dy natyra: natyrë hyjnore dhe natyrë njerëzore, pra Jezusi në të njëjtën kohë është edhe Zot edhe njeri![3]

Veshja e të vërtetës me të pavërtetën

Realiteti është i përbërë prej dy rendeve kryesore, prej Zotit dhe jo-Zotit, gjegjësisht prej Krijuesit dhe krijesave. Rendi i parë nuk është i krijuar sepse përfshin Allahun, Krijuesin Absolut (Rabul alemin): “Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk ka lindur, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë.” (El Ihlas: 1-4).
Krijuesi është i kamotshëm pa fillim dhe i përhershëm pa mbarim, nuk është i përkufizuar në vend dhe kohë. Ai është Zoti i botëve, Zoti i qiejve e i tokës, Zoti i çdo gjëje. Mu për ketë muslimani i hedh poshtë të gjitha dogmat që mundohen ta definojnë dhe përshkruajnë, rrjedhimisht me këtë edhe ta kufizojnë, madhështinë e Krijuesit brenda kohës dhe hapësirës.

Kurse rendi i dytë (alem, alemin) është relativ që përkufizohet me kohë dhe hapësirë ku përfshihen mbarë krijesat, si qiejt, toka, domethënë gjithësia dhe njeriu, kafshët, bimët, Kursiji, Arshi ose thënë ndryshe çdo gjë përveç Zotit. I tërë ky rend është vepër e Zotit. Prandaj, këto dy rende janë plotësisht dhe absolutisht të ndara nga njëra- tjetra. Nuk është e mundshme në çfarëdo forme apo rrethane që njëri prej këtyre rendeve të bashkohet me tjetrin, të shkrihet, apo të marrë trajtën e tjetrit. Nuk mundet që Krijuesi të transformohet në krijesë, dhe as krijesa nuk mund të shndërrohet në Krijues ose të ketë cilësi të Krijuesit.[4]

Transplantimi i mitit të Trinitetit në krishterizëm

Njerëzimi Jezusin e ka kuptuar në katër mënyra: Sipas ateistëve Jezusi nuk ka ekzistuar fare. Për çifutët Jezusi është një hebre heretik, i lindur nga një grua e përdalë, andaj nuk gëzon të drejtën të quhet Shpëtimtar (Mesia). Për të krishterët ai është Zot ose bir i Zotit. Kurse sipas Islamit Jezusi (Isai a.s.) është pejgamber i dërguar nga Zoti.[5] Këtë bindje e kanë pasur besimtarët e vërtetë të Isait a.s.
Kurani fisnik na dëfton se Isai a.s. u dërgua si pejgamber te bijtë e Izraelit i ngarkuar me misionin për korrigjimin e devijimeve në Besëlidhjen e Vjetër, dhe për të vërtetuar atë me një besëlidhje të re, si dhe për sjelljen e Lajmit Fatbardhë lidhur me ardhjen e Pejgamberit të fundit, emrin e të cilit ai e tha Ahmed:[6] “Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”. (Es Saf, 6).

Jezusi në Bibël asnjëherë nuk ka deklaruar për vete se posedon tipare të Zotit dhe as që ka foli ndonjëherë për trininë. Ketë e vërteton Kurani fisnik:
“Dhe kur All-llahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënën time dy zota pos All-llahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka ka në mua, e unë nuk di çka ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave! Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove; ta adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj,dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!” (El Maide, 116- 117).
Mirëpo, nën ndikimin e legjendës romake Jezusi shndërrohet në Hyj dhe ai fillon të konsiderohet si Zot prej mishi dhe një nga tre individët në trininë e Zotit.[7] Përmes Trinitetit Zoti iu shfaq dhe e shpalli Veten tek njerëzit. Sipas muslimanit që është i thirrur të besoj të vërtetat hyjnore dhe njëkohësisht të vërë në funksion mendjen e tij, ky besim bie ndesh me arsyen dhe shpalljen hyjnore, sepse e redukton Zotin në një njeri dhe e hyjnizon njeriun.[8]

Sipas të krishterit Triniteti tregon për një të vërtetë të vetme që shfaqet në tre pamje.[9] Ndërkaq, sipas muslimanit Triniteti nuk bën pjesë në atë që mendja e ka të vështirë ta kuptoj, por në atë që mendja e refuzon dhe e ka të pamundur ta kuptojë, ngase formula se tre janë një, është si fjala për mundësinë e bashkimit të të kundërtave.
Prandaj sipas Islamit doktrina e Trinitetit është krijim dhe sajim kulturor dhe i refuzuar nga Kur’ani i Shenjtë si një pohim i privuar nga frymëzimi hyjnor.[10] Njëshmëria e Zotit është shpirti i Islamit dhe i përshkon mësimet e tij, ashtu sikurse uji bimët dhe sikurse gjaku venat.

Kur’ani fisnik na mëson se Zoti nuk është në Trinitet. Zoti nuk mund të jetë me tipare njerëzore dhe as njeriu me tipare hyjnore. Prandaj Jezusi sikurse edhe Muhammedi a.s ishte rob dhe i dërguar i Zotit dhe nuk ishte njeri në tokë dhe Zot në qiell:
“Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah.” (En Nisa, 171).
John Hicku supozon se Jezusi ishte ose vetëm njeri, ose kurrsesi nuk ishte njeri. Kështu që ai erdhi në përfundim se Jezusi është vetëm njeri. Sipas tij Jezusi ishte i zgjedhur nga Zoti për ta kryer misionin, që nuk ishte pa gabime, as pa mëkate. Misioni i tij ishte vetëm ta ndryshojë dhe ta plotësojë zbrazëtirën e inkorporuar në Dhiatën e Vjetër që kishte të bëj me shpifjen si “Zoti i ashpër” me atë të “Zotit të mirë”, përplot me dashuri. Qëndrimi i tij është i përafërt me qëndrimin islam.
Ndërkaq, Kisha i dha Zotit pamje njerëzore dhe ua paraqiti njerëzve Zotin në shëmbëllimin njerëzor. Pikërisht për këtë nuk janë të paktë të krishterët që Zotin e përfytyrojnë në trajtë njerëzore dhe materiale.[11]

Madje, të krishterët aq shumë i janë përkushtuar jotranscendencës hyjnore saqë Paul Tichilli, që shpreh fiksimin e krishterëve, ka shkuar deri aty sa të deklarojë se Zoti transcendent është i panjohur dhe s’mund të njihet përderisa nuk konkretizohet në ndonjë objekt të natyrës dhe të historisë.[12] Kështu Krishti Zot ndodh bashkërisht me njeriun historik të Jezusit nga Nazareti. Pra vetë Zoti ka qenë i mishëruar në njeriun përgjatë historisë. Fanatizmi është zell i shërbyesve të Kishës për t’u imponuar njerëzve një hyjni me pamje njeriu.[13] Gatimi i krishterizmit në kallëpe romake e të helenizuara veç të tjerash është përgjegjës për përfytyrimin e Zotit si person mbinatyror, për doktrinën e ndërlikuar dhe të pakapshme të Trinitetit, ku Zoti pranohet si Treshi i Diçkaje.[14]

Prandaj Jezusi sipas doktrinës së krishtere ka qenë Zoti njeri që jetoi mes njerëzve. Si rrjedhim, edhe pse të krishterët besojnë se Krijuesi është transcendent, megjithatë për Zotin flasin si për një njeri të vërtetë që ecën mbi tokë dhe që bën çdo gjë që bëjnë njerëzit, duke përfshirë edhe vuajtjet dhe vdekjen-kryqëzimin.[15]

Michel Lelongu thotë: “Zoti në tërësinë e tij bëri që të njihet në Jezusin”. Kurse Klaus Berger shprehet se Jezusi ishte “plotësisht i hapët për prezencën e Zotit në ekzistencën e tij personale”.
Murad Hofmman cek se Augustini dhe Tertuliani me një pagdhenduri intelektuale menduan se kishin gjetur një provë për të dëshmuar shumësinë e Hyjnisë nga përemri në shumës i përdorur te Zanafilla “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne.” (Zanafilla 1:26). Madje Karl Barth pa kurrfarë turpi ka pohuar se mashkullia dhe femëria janë pjesë të brendshme të natyrës hyjnore, kjo ngase sipas tij menjëherë pas deklarimit të lartpërmendur thuhet: “Ai krijoi mashkullin dhe femrën” (Zanafilla 1:27).[16]

Ndikimi sipas të cilit Zoti nuk mund të konceptohet si “tërësisht tjetër” është ndikim josemit. Nga i gjithë ky përshkrim tashmë bëhet e qartë se çdo i krishterë në instancë të fundit pranon se Zoti i tij është edhe transcendent dhe imanent. Kurse Islami sikurse kemi cituar më herët na mëson se All-llahu është Një dhe i vetëm dhe nuk lejon që të besohet se ka qenie të tjera që mund ta ndajnë hyjninë me Të.
Nëse një kafshë nuk mund të lindë një njeri sepse i përket një rangu më të ultë se ai, atëherë si mundet një grua, që nga aspekti ontologjik është krejt e ndryshme nga Zoti, të lindë “birin” e Tij?!
Pejgamberi a.s ka thënë: “Këdo që dëshmon se s’ka Zot tjetër pos All-llahut, që Ai është i vetëm, i pashoq, dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij, se Isai (Jezusi) është rob dhe i dërguar i Tij, është urdhër dhe është prej shpirtit të Tij në Merjemen, se Xheneti dhe Xhehenemi janë të vërtetë, All-llahu do ta fusë atë, për hir të gjithë kësaj, në Xhennet.”

[1] Ismail Raxhi El Faruki, Tevhidi, implikimet e tij për mendimin dhe jetën, Prishtinë, 2006, f. 40.
[2] Dr. Muhammed Ali el Havli, Komparacioni mes katër ungjijve, Shkup, 2002, f. 183.
[3] Muhamed Kutub, Bota në fokusin Islam, Tiranë, 2006. f. 26.
[4] Ismail Raxhi El Faruki, op. cit., f. 40.
[5] Dr. Muraf Hofmannn, Islaim në mijëvjeçarin e tretë, Shkup, 2007, f. 193.
[6] Sejid Muhammed Nakib El Attas, Islami dhe shekullarizmi, Shkup, 2006, f. 54.
[7]Dr. Mustafa Šahin, Kršæanstvo – Istina o kršæanstvu kroz historiku i vjerovanje, 2008, f. 70.
[8] Prof. Dr. Bekir Topaloglu, Prof. Dr. Yusuf Sevki Yavuz, Doc. Dr. Ilyas Celebi, Bazat e besimit në Islam, Prishtinë, 2002, f. 171.
[9] Muhamed El Gazali, Besimi i muslimanit, Shkup, 2001, f. 66.
[10] Sejid Muhammed Nakib El Attas, op. cit., f. 53.
[11] Murteza Mutahari, Shkaqet e Animit nga Materializmi, Tiranë, 2002, f. 55.
[12] Ismail Raxhi El Faruki, op. cit., f. 59.
[13] Prof. Dr. Bekir Topaloglu, Ekzistenca e Zotit, Prishtinë, 2002, f. 189.
[14] Sejid Muhammed Nakib El Attas, op. cit., f. 33.
[15] Ismail Raxhi El Faruki, op. cit., f. 60.
[16] Ismail Raxhi El Faruki, op. cit., f. 59.