Profecitë e dështuara dhe të gabuara në Bibël

Profecitë e dështuara dhe të gabuara në Bibël

Halil Ibrahimi

Bibla përmbanë shumë profeci të cilat dëshmojnë se ajo është Fjalë e Zotit?

Shpeshherë kur nga një kristian tentohet të vërtetohet njëmendësia e pohimit të tij se Bibla është vërtetë Fjalë e padiskutueshme e Perëndisë, përmenden profeci të shumta të supozuara të cilat gjoja po dëshmokan se Jezusi pa dyshim është Zot dhe Bibla Fjalë e Zotit. Sipas tyre është jashtë çdo probabiliteti që aq shumë profeci të Dhjatës së Vjetër të përmbushen në Dhjatën e Re në personin e Jezusit, dhe pastaj është gjithashtu jashtë çdo mundësie njerëzore që të bëheshin edhe shumë profeci të tjera në Bibël të cilat ndodhën në të ardhmen. Kjo pastaj përdoret edhe si dëshmi sipas tyre, që jo Kur’ani por Bibla është një libër i frymëzuar Hyjnor, sepse po sipas tyre Kur’ani nuk përmban asnjë profeci, përkundër Biblës që është e mbushur me qindra sosh. Pas një studimi të mirëfilltë të teksteve të ndryshme Biblike në prizmin e fakteve historike dhe analizave të manuskripteve të shumta Biblike mund të nxjerrim disa konkludime të cilat mund të jenë të pakëndshme për shumë nga ata që janë mësuar të besojnë se profecitë Biblike dëshmojnë origjinën hyjnore të saj.

Kur bazohemi në një shtjellim të tillë logjik, faktik dhe historik ne shohim se:

1. Bibla përmbanë shumë profeci të cilat jo vetëm që nuk u realizuan ashtu siç ishin profetizuar por dështuan thellë në të gjitha aspektet. Numri i profecive të tilla të dështuara nuk është i vogël.
2. Shumë nga profecitë e supozuara Biblike janë shkrime të bëra pasi që ngjarjet veçse kishin ndodhur kështu që aplikimi i termit ‘profeci’ në këtë rast është i pasaktë, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.
3. Shumë nga profecitë e supozuara gjoja të përmbushura në Jezusin nga Dhjata e Vjetër janë rikonstruim i ngjarjeve pasi që Jezusi veçse kaherë e kishte mbaruar misionin e tij tek ‘kopeja e humbur e Izraelit’. Të gjitha librat e Dhjatës së Re u shkruan shumë kohë pasi që Jezusi kishte lënë Tokën dhe ishte shumë lehtë të bëhej çfarëdo supozimi se kjo apo ajo profeci ishte përmbushur në dikë, kur ajo ngjarje veçse kishte ndodhur më herët dhe tani vetëm se po rishkruhej.
4. Për më tepër, dhe për të nxjerrë në pah në mënyrën më të paskrupullt pohimin tonë nga pika 3, shumë profeci të supozuara për Jezusin në Dhjatën e Re jo vetëm që ishin rikonstruim i mëvonshëm i ngjarjeve, por edhe ishin të bazuara në tekste-manuskripte të korruptuara të Dhjatës së Vjetër, përkatësisht në përkthimet e Dhjatës së Vjetër hebraike (në greqisht para së gjithash) , përkthime këto të cilat përmbanin dhe përmbajnë gabime të shumta grandioze, gjë kjo gjërësisht e njohur dhe e pranuar sot nga shkollarët biblikë.
Kësaj radhe do të përmendim vetëm disa nga profecitë e dështuara të Biblës dhe vetëm dy shembuj të gabimeve nga pika 4, vetëm sa për të ilustruar pohimin se Bibla përmbanë shumë gabime historike dhe profeci të dështuara, ndërsa në një të ardhme shpresojmë të adresojmë këtë temë më detajisht.

Konkludimi i nxjerrë kur kihen parasysh të gjitha pikat e mësipërme është një sfidë e madhe për pohimin se Bibla është Fjalë e Zotit, sepse si mundet Perëndia të bëjë profeci të cilat jo vetëm që nuk realizohen por dështojnë thellë në vërtetësinë e tyre, dhe gjithashtu si mund të bëjë Zoti gabime të tilla grandioze duke bërë profeci të cilat janë të bazuara në verzione me gabime gjatë përkthimit të Dhjatës së Vjetër.

Muslimanët nuk e besojnë Biblën për Fjalë të Zotit prandaj nuk kanë të drejtë ta citojnë ose përdorin atë?

Muslimanët në debate të ndryshme apolegjetike apo edhe në biseda të thjeshta me ndonjë kristian apo tjetërkë, shpeshherë përdorin fragmente Biblike si mbështjetje të pohimeve të tyre apo e citojnë Biblën për të vërtetuar ndonjë nga besimet e tyre. Në raste të tilla pothuajse është bërë rregull që muslimanët të çortohen nga kristianët ironikisht me pretekstin se përderisa një musliman nuk e mban Biblën për Fjalë të Perëndisë ai edhe nuk ka të drejtë të citojë nga ajo, apo ta përdorë atë për të vërtetetuar ose dëshmuar diçka nga besimet e tij. Dhe njëmend, përse do të citonin muslimanët nga Bibla nëse nuk janë në pajtim me besimin kristian se gjithçka e gjendur në Bibël është 100 % Fjalë e Drejtë dhe e Padiskutueshme e e Pagabueshme e Zotit.
Ky është një keqkuptim i rëndomtë i cili vie nga mosnjohja e qëndrimit të cilin e kanë apo duhet ta kenë muslimanët ndaj librave të Biblës.
E kemi parë të arsyeshme që ta sçarojmë këtë dilemë pasi që duke vërtetuar se Bibla përmbanë profeci të dështuara një kristian menjëherë do të dëshironte ta përmbyllte bisedën me pohimin se përderisa një musliman po dëshmoka se Bibla përmbanë gabime të shumta atëherë nuk është e logjikshme që në një rast tjetër po ai musliman të citojë pjesë nga po ajo Bibël për të vërtetuar se gjoja Jezusi nuk qenka Zot apo se gjoja aty po u profetizoka ardhja e një profeti tjetër pas Jezusit (Muhamedit). Zakonisht në raste të tilla ata do të shtrojnë pyetje oratorike arbitrare: A e beson Biblën për Fjalë të Zotit? PO ose JO? Duke qenë se gjërat nuk janë përherë bardh e zi, çfarëdo përgjegje me PO ose JO do të ishte jo vetëm e mangët por edhe fodulle.

Muslimanët besojnë se Bibla gjatë kohëve jo vetëm që është ndryshuar por edhe ka përfshirë në vetvete shumë gabime të cilat përndryshe nuk ishin pjesë e librave të frymëzuar nga Zoti: Fletëve të Abrahamit, Tevratit, Zeburit, Inxhilit, dhe këtë do ta dëshmojnë në këtë rast pikërisht me praninë e profecive të gabuara dhe dështuara në Bibël sepse sipas logjikës së thjeshtë dihet qartë se gabimet dhe dështimet e tilla nuk vijnë nga Zoti. Mirëpo muslimanët kurrë nuk e kanë mohuar e as që e mohojnë se në Bibël gjenden edhe shumë pjesë të tjera të cilat kanë ruajtur origjinalitetin e mësimeve të Zotit. Për shembull kur Jezusi thotë tek Ungjilli sipas Markut 12:29-31: “ Dhe Jezusi u përgjigj: ”Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”, dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta”.”, muslimanët nuk kanë asgjë kundër kësaj dhe e dinë mjaft mirë se ky ka qenë përherë mësimi që Perëndia i ka komunikuar njerëzimit nëpërmjet Profetërve të Tij.

Faktikisht përkundër Kur’anit i cili është Fjalë e pastër e Zotit dhe në të cilin në çdo faqe pothuajse përsëritet se Kur’ani është Fjala e ardhur e Zotit e cila do të ruhet si e tillë, në Bibël kurrë nuk kemi ndonjë qëndrim eksplicit të qartë se librat e Biblës janë të frymëzuara nga Zoti. Fjala Bibël edhe nuk përmendet në Bibël. Argumenti kristian i përmendur nga 2 Timoteu 3:16 për gjoja frymëzimin hyjnor të Biblës është një nxjerrje flagrante jashtë kontekstit dhe nuk dëshmon faktikisht asgjë. Pastaj për më tepër, Luka bie fjala, që në fillimin e Ungjillit të tij dëshmon se ai jo vetëm që nuk ishte i frymëzuar nga Perëndia gjatë shkruarjes së Ungjillit të tij, por se ai vetëm po shkruante një narracion historik apo një letër Teofilit ashtu siç kishin bërë edhe shumë të tjerë para tij:

“Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.” (Ungjilli sipas Lukës 1:1-4)

Siç e shihni në mënyrën më të pastër që mund të bëhet ndonjë pohim, nuk përmendet askund Perëndia apo ndonjë frymëzim nga Ai gjatë shkruarjes së këtij Ungjilli në rastin specifik.

Faktikisht në librat e Biblës ne hasim tri lloje të narracioneve:

1. Fjalën e Zotit
2. Fjalën e Profetit të Zotit
3. Fjalën e rrëfyesit apo historianit

Për shembull Fjala e Zotit:

“Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër.” (Isaia 43:11)
“Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi” (Isaia 43:12)
“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.” (Ligji i Përtërirë 18:18)

Fjala e Profetit:
“Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: ”Eli, Eli, lama sabaktani?”. Domethënë: ”Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Ungjilli sipas Mateut 27:46)
“Atëherë Jezusi, …..u tha dishepujve të vet: ”Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!” (Ungjilli sipas Markut 10 23)
“Dhe Jezusi i tha: ”Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.” (Ungjilli sipas Markut 10:18)

Ndërkaq pjesa më e madhe e Biblës është narracion i folur nga një person i tretë, nga historiani apo skribi. Për shembull:

“Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte” (Marku 10:32)

“Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë deri sa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë.” (Jozuehu 8:24)

Në të vërtetë edhe shembujt e narracioneve nga grupi i parë dhe i dytë janë të shkruara nga skribi apo historiani dhe paraqesin pikëpampjen e tij për ngjarjet. Njerëzimit i është zbuluar nëpërmjet Fjalës të Fundit të Zotit Kur’anit se ky i fundit duhet të jetë test për të dalluar të vërtetën nga ndryshimi dhe e pavërteta në librat e mëhershme të shpallura e të cilat më vonë u ndryshuan. Prandaj muslimanët besojnë shumë gjëra në Bibël por jo edhe tërësisht Biblën për arsyen e thjeshtë se ajo me kohë u ndryshua dhe në të u ngërthyen gjëra që nuk ishin pjesë e komunikimit nga Perëndia. Pikërisht rastet e profecive të rreme dhe të dështuara që do ti përmendim më poshtë janë një argument thelbësor për këtë qëndrim.

Profecitë e dështuara Biblike

Bibla edhe ashtu si është na e bën të qartë se profetët e rremë ekzistojnë dhe gjithashtu sçaron mënyrën e të dalluarit të profecisë së rreme nga ajo e vërteta, pra dallimin e fjalës të cilën e ka thënë Perëndia nga tjetra.

“Dhe në se ti thua në zemrën tënde: “Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?”. Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij” “(Ligji i Përtërirë 18:20-22)

Në Bibël ekzistojnë një mori profecishë të cilat kurrë nuk u realizuan dhe tash bazuar në testin nga Ligji i Përtërirë del se fjalët e tilla nuk mund të konsiderohen për Fjalë të Zotit në asnjë mënyrë. Ja disa shembuj të këtyre profecive të rreme:

# Profecia e dështuar rreth Tiros nga libri i Ezekielit

Në librin Biblik të Ezekielit gjendet një ‘profeci’ rreth Tiros dhe Egjiptit. Sipas këtij parashikimi Tiro do të shkatërrohej, përkatësisht do të mposhtej nga Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë.

“Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish. Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash. Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij. Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë. Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen. Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde. Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më. Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti”.” (Ezekieli 26:7-14)

Kjo ‘profeci’ sipas shkollarëve Biblikë do të jetë bërë rreth vitit 587 p.e.s. dhe në atë kohë njëmend dukej të kishte gjasë të realizohej duke pasur paraysh fuqinë e mbretit Babilonas dhe rrethanat. Siç shihet nga fragmenti i mësipërm, qartë profetizohet rënia dhe shkatërrimi total i Tiros nga Nebukadnestari. Sidoqoftë përshkrimi plot afsh i plaqkitjes dhe rënies totale të Tiros kurrë nuk ndodhi. Për çudi po në Librin e Ezekielit vetëm disa kapituj më pas përmendet dështimi i profecisë në kuptimin se Nebukadnetsari dhe ushtria e tij nuk plaqkitën gjë si shpërblim dhe ashtu siç e parashihte profecia.

“”Bir njeriu, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tiros; çdo kokë është bërë e shogët dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim për mundin që kanë bërë kundër tij”.” (Ezekieli 29:18)

Pas një rrethimi që zgjati për rreth 13 vite Nebukadnestari u largua nga rrethimi i Tiros dhe u detyrua që të bënte një marrëveshje kompromisi. [1] Kështuqë qartë Nebukadnestari nuk e shkatërroi Tiron siç parashihte profecia. Për më tepër Tiro u shkatërrua jo nga Nebukadnestari por nga Aleksandri i Madh 240 vite më vonë dhe gjithnjë në kundërshtim me profecinë, qyteti i Tiros eventualisht u rindërtua. [2]. Për të qenë absurdi më i madh po ky qytet si i rindërtuar përmendet edhe në vetë Dhjatën e Re pas ardhjes së Jezusit. [3]

# Profecia e dështuar rreth Egjiptit nga Libri i Ezekielit

Sikur kjo të mos ishte mjaft po në librin e Ezekielit ipet një profeci tjetër e dështuar rreth Egjiptit:

“Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë do të sjell mbi ty shpatën dhe do të shkatërroj mes teje njerëz dhe kafshë; kështu vendi i Egjiptit do të bëhet një mjerim dhe një shkreti, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse ai ka thënë: “Lumi është imi dhe e kam bërë unë vetë”. Prandaj ja, unë jam kundër teje dhe lumit tënd; do ta katandis vendin e Egjiptit në një mjerim të plotë dhe në shkreti nga Migdoli deri në Sienë, deri në kufijtë me Etiopinë. Nuk do të kalojë asnjë këmbë njeriu, as do të kalojë ndonjë këmbë kafshe, dhe nuk do të banohet për dyzet vjetë me radhë. Do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara; do t’i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t’i hedh nëpër vende të ndryshme”.” (Ezekieli 29:8-12)

Ky ‘parashikim’ sikur është kampioni i profecive të dështuara Biblike për arsye se:
• Egjipti kurrë nuk është shkretuar dhe mjeruar
• Njerëzit kanë kaluar dhe hecur përherë nëpër të
• Nuk ka pasur as edhe një moment të vetëm, e lëre më 40 vite siç parasheh ‘profecia’ kur Egjipti ka qenë i pabanuar
• Qytetet e tij kurrë nuk janë shkretuar për ndonjë periudhë kohore
• Dhe së fundi nuk ka pasur ndonjë diasporë Egjiptiane [4]

Kështuqë edhe profecia tjetër nga Ezekieli 29:20,

“Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua”, thotë Zoti, Zoti.”

është një dështim pasi që Nebukadnatseri kurrë nuk e morri Egjiptin.

# Profecia e dështuar rreth viteve të ekzilit në Librin e Jeremias

Në librin e Jeremisë gjendet një profeci tjetër e dështuar. Gabimisht aty parashikohen 70 vite për ekzilin babilonik por ai zgjati vetëm 59 vite.

“”Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t’ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend.” (Jeremia 29:10)

Ekzili i parë filloi në vitin 597 p.e.s. kur Nebukadnasteri së pari morri Jeruzalemin dhe caktoi Zedekian për mbret (mbreti i fundit i Judesë). Nebukadnasteri mori gjërat nga tempulli. Fillimi i ekzilit të dytë ishte në vitin 586 p.e.s. kur Nebukadnasteri mori Jeruzalemin për herë të dytë duke shtypur kryengritjen dhe shkatërruar tempullin. Fundi vie në vitin 538 p.e.s. kur Kiri mer Babilonin dhe i jep fund mbertërisë së Babilonit. Atëherë hebrenjtë u lejuan që të kthehen në Jude.

# Profecia e fabrikuar për trupin e Jezusit bërë nga Pali

Më herët kemi përmendur se ndër argumentet thelbësore të kristianizmit janë gjoja qindra profecitë e Dhjatës së Vjetër të realizuara sipas tyre në personin e Jezu Krishtit, përmbushja e të cilave gjoja është jashtë çfarëdo mundësie njerëzore, kështuqë nga kjo duhej të dilte supozimi se Jezusi njëmend është Perëndi dhe Bibla është 100 % Fjalë e Pandryshueshme e Zotit. Veçse kemi sqaruar se shumë profeci të supozuara për Jezusin në Dhjatën e Re jo vetëm që ishin rikonstruim i mëvonshëm i ngjarjeve por edhe ishin të bazuara në tekste-manuskripte të korruptuara të Dhjatës së Vjetër, përkatësisht në përkthimet e Dhjatës së Vjetër hebraike (në greqisht para së gjithash) , përkthime këto të cilat përmbanin dhe përmbajnë gabime të shumta grandioze, gjë kjo gjërësisht e njohur dhe e pranuar sot nga shkollarët biblikë.
Një problem me të cilin ballafaqohet vazhdimisht studiuesi i Biblës është se cili version i Dhjatës së Vjetër duhet të konsiderohet si i frymëzuar nga Perëndia: Septuaginta, versioni Mazoretik, Samaritan apo ndonjë tjetër. Dihet se ka shumë dallime midis këtyre verzioneve dhe kur kihet parasysh fakti se shumica e autorëve të Dhjatës së Re kur citojnë Dhjatën e Vjetër përdorin verzionin e Septuagintës, një problem tjetër del në shesh. Për laikët, Septuaginta është përkthimi grek i Dhjatës së Vjetër hebraike. Kur bëhet krahasimi i citateve të Dhjatës së Vjetër në Dhjatën e Re me verzionin Hebraik të Dhjatës së vjetër shohim shumë dallime. Këto dallime janë qoftë si rezultat i gabimeve në përkthimin grek të Septuagintës, qoftë si rezultat i përdorimit të një verzioni tjetër nga ai që njihet sot si Dhajtë e Vjetër Hebraike (verzioni Mazoretik) si bazë për përkthim tek Septuaginta. Në qarqet studimore biblike është i njohur fakti se Septuaginta Greke, pra përkthimi grek i Dhjatës së Vjetër hebraike përmban gabime, shtesa dhe paqëndrueshmëri të shumta. E tash nëse autorët e Dhjatës së Re citojnë një varg me gabime të tilla dhe bazojnë doktrina dhe profeci të tëra në vargje me gabime të tilla a kemi të drejtë akoma Biblën t’ia atribuojmë ndonjë frymëzimi hyjnor?

Për shembull tek Letra Hebrenjëve 10:5 është e qartë se Pali po citon nga Psalmi 40:6-7 dhe ai aty tenton të ‘vërtetojë’ doktrinën e trupit të ofruar të Krishtit gjoja me profeci nga Dhjata e Vjetër. Mirëpo kur e lexojmë Psalmin e cituar në origjinalin hebraik nuk shohim të përmendet kurrfarë trupi. Fjala e përdorur aty është ‘vesh’ i cili tek Septuaginta gabimisht është përkthyer si soma – trup. Tashti, a nuk e dinte Pali se origjinali hebraik nuk bënte fjalë për kurrfarë trupi por se ky ishte vetëm një gabim i përvjedhur në verzionin grek të cilin ai e përdorte. Ky është një shembull i mirë për të sfiduar teorinë e tërësisë autoriale të Biblës dhe aludimin e prejardhjes së saj hyjnore. Nëse Perëndia njëmend ishte autor i Letrës së Hebrenjëve përse Ai do të citonte përkthimin e gabuar të Dhjatës së Vjetër. A nuk e dinte Ai se çfarë kishte frymëzuar tek Psalmi 40:6-7 në origjinalin hebraik? Kjo është një pyetje e cila duhet shtruar nga secili nga ne, kur kihet parasysh fakti se ky nuk është rasti i vetëm; të tilla raste janë me bollëk në Dhjatën e Re ku citohet verzioni i korruptuar i Septuagintës në dëm të verzionit Mazoretik.

# Profecia e fabrikuar për virgjëreshën bërë nga Ungjilli sipas Mateut

Është mirë e ditur se lindja e profetit Isa (Jezu) u bë në mënyrë të mrekullishme nga Mejremja e virgjër dhe muslimanët nuk kanë asgjë kundër kësaj. Mirëpo mënyra se si paraqitet kjo në Ungjillin sipas Mateut për t’u dukur si përmbushje e gjoja një profecie në Dhjatën e Vjetër është sërish një shembull eklatant i fabrikimit të profecive, respektivisht i bazimit të ngjarjeve në burime të gabuara.
Ungjilli sipas Mateut 1:22-23 në mënyrë eksplicite përmend se lindja e virgjër e Jezuit po ndodhte si përmbushje e profecisë:

“E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë:”Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Zoti me ne””.

Këtu është e qartë se po citohet nga Dhjata e Vjetër, nga libri i Isaisë 7:14. Fjala virgjëreshë në Biblën Greke – Verzionin Septuaginta është përdorur si parthenos që në mënyrë eksplicite do të thotë e virgjër. Mirëpo nëse shikojmë në origjinalin hebraik – në verzionin Masoretik, fjala e përdorur aty është almah që ka kuptimin grua e re apo vajzë e re kështuqë nëse Isaia do të dëshironte të bënte një profeci të qartë për lindjen e virgjëreshës ai do të përdorte fjalën ekzakte hebraike për virgjëreshë bethulah.
Kështuqë pohimi tek Ungjilli sipas Mateut 1:22-34 se lindja e virgjër është profetizuar në shkrimet e shenjta (Dhjatën e Vjetër) është i bazuar në një përkthim të gabuar të fjalës hebraike për vajzë të re. Lindja e virgjër nuk është e profetizuar askund në Dhjatën e Vjetër Hebraike. [5]

Përfundim

Çka mund të nxjerrim si përfundim? Është aq shumë e qartë se në Bibël ekzistojnë një sërë profecish të dështura (dështimi është fjala më ledhatuese për rrenë), dhe një mori tjetër parashikimesh të fabrikuara ndërtuar mbi gabime në përkthim dhe verzione të gabuara.
Nga Ligji i Përtërirë 18:18 kemi parë se nëse parashikimi i profetit nuk realizohet është e qartë se është fjala për rrenë dhe jo për fjalë të Zotit. Kjo e vë në dilemë seroize pohimin që na është thënë se Bibla është padiskutueshëm dhe pandryshueshëm Fjalë e Perëndisë.
Muslimanët e kanë zgjedhur këtë problem kaherë. Zoti para rreth 14 shekujsh dërgoi Profetin e Tij të Fundit me fjalën finale të Tij dërguar njerëzimit. Kushtet dhe rrethanat atëherë dhe tash ishin pjekur që Fjala e Zotit të mund të ruhej ashtu siç ishte thënë nga Zoti. Për më tepër një premtim të tillë e bëri edhe vetë Allahu në Kur’an:

“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Kur’ani 15:9)

Gjithashtu qëndrimi i muslimanëve ka qenë i qartë gjithandej historisë. Librat e mëhershme nga Kur’ani kurrë nuk u ruajtën ashtu siç u shpallën. Bibla e sotme është një përzierje e gjurmëve të mbetura të Fjalëve të Zotit, me fjalët e Profetërve dhe historianëve apo autorëve tjerë. Nga kjo edhe gabimet e shumta në Bibël janë të logjikshme dhe të arsyetuara. Duke qenë se Kur’ani është në formën e njëjtë sikur kur iu prezantua Muhamedit shumë shekuj më herët, ai edhe është një mjet i cili e ndan shapin nga sheqeri dhe na tregon në mënyrë perfekte çka mund të besohet e çka nuk mund të besohet nga Bibla.

________________________________________
[1] Asimov “Guide to the Bible” faqe587-588
[2] Howell-Smith “In search of the real Bible” faqe 40-41
[3] Marku 7:24 “Pastaj (Jezusi) u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.”
Veprat e Apostujve 12:20 “Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.”
[4] McKinsey “Biblical Errancy” faqe 304
[5] Guignebert, Jesus: faqe 123, Wilson, Jesus: The Evidence: faqe 19

www.islamidhekrishterimi.com