Protestantizmi

Protestantizmi

Pas ortodoksizmit dhe katolicizmit, protestantizmi paraqet njërën nga tri fraksionet kryesore të krishterizmit. Paraqitja e protestantizmi në shek. XVI është e lidhur ngushtë me periudhën e shfaqjes së reformacionit. Reformacioni ishte lëvizje fetare krishtere, e cila e shihte të domosdoshme, siç tregon edhe vetë emri i saj, përtëritjen, këndelljen dhe riorganizimin e fesë e të kishës së atëhershme krishtere në pikëpamje teologjike, morale, organizative, liturgjike etj.[1] Ajo, në të vërtetë, ishte një shprehje e rezistencës ndaj sistemit feudal dhe ideologjisë së tij. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë katolicizmi ishte armë e feudalizmit. Prandaj, nuk është për t’u habitur pse reformacioni është zhvilluar nën moton e kthimit në krishterizmin e parë origjinal. Nga origjina e përbashkët ishte edhe rezistimi i përbashkët ndaj dogmës katolike.

Nën konceptin e protestantizmit klasifikohen të gjitha fraksionet fetare që janë formuar në Perëndim të ndara nga kisha katolike, ose që janë përçarë brenda saj. Të gjitha komunitetet fetare protestante janë tërësisht të pavarura, jo vetëm në aspektin administrativ, por edhe në atë fetar.

Protestantizmi i parë është i lidhur ngushtë me Martin Luterin (1483-1546), murg i Vitenbergut. Ishte lindur më 10 nëntor të vitit 1483, në qytetin e vogël Eisleben të Saksonisë në Gjermani. Rridhte nga një familje me fetarësi modeste. Ishte bir i një punëtori minierash. Në fëmijërinë e tij dhe në mjedisin e parë nuk pati ndonjë simpati të veçantë ndaj shtresës së klerikëve. Megjithatë, ishte një mjedis i cili e thelloi tek ai ndjenjën e besimit dhe të devotshmërisë, duke protestuar ndaj të këqijave që e rrethonin. Pasi i kreu mësimet e duhura me një sukses shumë të lartë, edhe pse me vështirësi të shumta, ngase prindërit i kishte shumë të varfër, u regjistrua në Universitetin e Erfurtit, në të cilin me sukses diplomoi në arte, kurse më pas doktoroi në filozofi. Në një udhëtim që e pati për te prindërit e vet, pas një moti shumë të keq, stuhisë së fortë, vetëtimave dhe bubullimave të tmerrshme, ai u betua të hiqte dorë nga bota e t’ia kushtojë çdo gjë fesë, nëse Zoti ia shpëton jetën. Ai vendosi t’i bashkëngjitet Kuvendit të Shën Augustinit, në të cilin u prit mirë, me shpresa që ta ndiqte mënyrën e pastrimit të brendshëm. Vendosi që të kryente të gjitha punët e murgjve brenda në kishë me një përpikëri të ashpër. Aty ai kishte detyrën e portierit, rregullonte orën, fshinte kishën dhe pastronte qelitë e murgjve. Studimet, agjërimet e netët pa gjumë bënë që të zbehej e të dobësohej shumë.

Pasi kishte kaluar dy vjet jete murgu, Luteri u emërua prift më 2 maj 1507. Një vit më pas, më 1508, u emërua profesorë në Universitetin e Vitenbergut, ku iu besuan një sërë lëndësh të vështira dhe pas pak kohe u caktua të jepte leksione mbi Biblën çdo ditë. Ai kishte një retorikë rrjedhëse, një elokuencë mahnitëse, një autoritet dhe ngrohtësi që impresiononte dëgjuesit dhe pasi filloi të predikonte, për një kohë të shkurtër, u caktua të predikonte në kishën kryesore. Vetë Frederiku, princi i Sanksonisë, erdhi ta dëgjonte në një nga predikimet e tij.

Ai udhëtoi për në Romë duke shpresuar se udhëtimi do të jetë ngritje shpirtërore dhe burim i një përvoje të brendshme të pastër, saqë kur i doli qyteti para syve, ai ra në gjunjë dhe thirri: “Të përshëndes, oj Romë e shenjtë”. Mirëpo, kur hyri në qytet, ndjeu se Roma ishte larg të qenit e shenjtë. U largua nga Roma i dëshpëruar dhe i zhgënjyer tepër, pasi që vetë ishte dëshmitar se qendra apostolike ishte e zhytur deri në fyt në jetën materiale dhe në luks që ishte për tallje dhe indinjatë. Këtë ai e shprehu me fjalët: “Askush s’mund ta imagjinojë çfarë mëkatesh e çfarë veprimesh të turpshme bëhen në Romë; duhet të shihen me sy e të dëgjohen që të besohen. Do të mund të thuhej se, në qoftë se ka një ferr, Roma është ndërtuar mbi të; është një humnerë nga ku lind çdo lloj mëkati”.[2]

Për ta përgatitur terrenin për përhapjen e mendimeve të tij, Luteri e përktheu Ungjillin në gjuhën gjermane dhe kërkoi që ritet e ceremonitë fetare të kryheshin në gjuhën gjermane në vend të latinishtes së trashëguar, e cila ishte bërë e vështirë për t’u kuptuar.

Thirrjet për përdorimin e gjuhës vendase kombëtare u bënë një nga mësimet e përbashkëta të lëvizjes reformiste në tërësi. Thirrja e Luterit ishte dydimensionale; kritika ndaj pushtetit shpirtëror dhe politik të papës dhe thirrja për përdorimin e gjuhës kombëtare ishin ndër shkaqet kryesore pas qëndrimit përkrahës të princave dhe pushtetit bashkëkohor, duke e ndihmuar atë. Pushtetet bashkëkohore në këtë ftesë të tij gjetën trimërinë që të kërkojnë më shumë të drejta për pavarësi në administrimin e çështjeve fetare dhe politike, si zbatim i sloganit “i kujt është shteti e tij është edhe feja”.

 Vizita që ia bëri Romës i thelloi tek ai dy bindje të pandara. Së pari, përhapja e korrupsionit dhe çoroditjes ndaj së cilës ishte dorëzuar qendra apostolike, e që ishte në kundërshtim të plotë me jetën e Jezusit, jetë e cilësuar me thjeshtësi, modesti dhe devotshmëri. Së dyti, domosdoshmëria e kthimit të krishterizmit në pastërtinë e parë, larg grumbullimit dhe shtresimit falsifikues historik që e kishte shpikur kisha katolike. Luteri pohonte dhe vërtetonte të kundërtën e kishës katolike; se shpëtimi nuk arrihet me anë të veprave, por me anë të besimit të dëlirë dhe vendosmërisë së sinqertë e të pastër në besim, ngase besimi është i arsyetuar nga vetvetiu dhe ndërkohë në origjinën e tij është begati hyjnore.

Kjo pikëpamje bëri që Martin Luterin t’i refuzojë shumë ceremoni, rite e praktika, të cilat sipas tij, i kishte shpikur kisha katolike, siç ishin: shitja e indulgjencave, faturat e bashkëngjitjes së virtyteve të Jezusit dhe apostujve në arkën e supozuar, pra, në bazë të pagesës që bënte besimtari, aq më lart u bashkëngjitej virtyteve të Jezusit dhe të apostujve. Detyrimin e celibatit (beqarisë) për murgjit, murgeshat, priftërinjtë e peshkopët, domosdoshmërinë e pelegrinazhit në qendrën apostolike në Romë, përkatësisht qendrën e papatit në Vatikan. Lutjen e përbashkët ndaj të vdekurit dhe më me rëndësi ndaj të gjithave, pretendimi se kisha dhe papa janë të vetmit që mbajnë monopolin e njohurisë së vërtetë të fesë.

I indinjuar nga këto praktika, Luteri një ditë përpara festës, më 31 tetor 1517, me guxim shkoi drejt kishës që Frederiku (princi i Saksonisë) e kishte ndërtuar në Vitenberg dhe në prezencë të shumë njerëzve të tubuar aty, e vari në derën e kishës një komunikatë që përmbante 95 fjali të shkurtra, të quajtura “Teza” kundër doktrinës së indulgjencave. Po ashtu i kundërshtoi doktrinat e “lajthitjet” e tjera të kishës si mësimet të cilat pohonin se “shpëtimi i shpirtit” mund të bëhet vetëm nëpërmjet kishës. Ndërkaq, Luteri pohonte se shpëtimi është i mundur me besim vetjak, duke iu lutur Zotit dhe duke i respektuar dhjetë porositë e Zotit. Ai e mohoi ndërmjetësimin mes Zotit dhe besimtarit. Në vitin 1519 Luteri po ashtu e kundërshtoi autoritetin e papës, dekretet e tij dhe traditat e kishave.

Në vitin 1520 nga Luteri u kërkua që të tërhiqej nga idetë e tij, por në të njëjtin vit ai shpalli manifestin “Fisnikëria krishtere e popullit gjerman”, në të cilin e mohonte pushtetin e papës mbi koncilët, ndarjen e priftërinjve e laikëve dhe monopolizmin kishtar mbi komentimin e Biblës. Pas kësaj, po në këtë vit, më 1520, papa e dha një edikt special në të cilën e fajësoi për herezi dhe i gjykoi mësimet e Luterit. Në fund të këtij viti, Luteri e dogji letrën e papës përpara popullit në sheshin e Universitetit. Luteri ishte njeriu i parë, i cili para se të digjej vetë, e ka djegur porosinë e papës. Në janar të vitit 1521 papa e shkishëroi Luterin (e largoi nga kisha duke e mallkuar atë). Luteri nuk i përhapte idetë e tij vetëm teorikisht, por ato i zbatonte në jetën praktike. Kështu, kur e lejoi martesën e klerit të kishës, këtë edhe e realizoi vetë duke u martuar madje me një murgeshë që quhej Katerina. Kjo martesë bëri një revolucion që s’mund të paramendohej deri në atë kohë. Martesa e një murgu të devijuar me një murgeshë për mesjetën ishte një ngjarje që llogaritej mëkat i madh. Pas një sëmundje të rëndë, Luteri vdiq më 18 shkurt 1546, duke lënë pas vetes vejushën e tij dhe 3 djem e 2 vajza.

Doktrina luteriane (protestantizmi) dallohej nga katolicizmi në këto pika:

1.- Protestantizmi nuk e pranon autoritetin e papës. Sipas protestantizmit, autoriteti kryesor i fesë krishtere është dhe duhet të jetë Bibla; dhe vetëm atë e llogarisin si burim të fesë së krishterë, ndërkaq mohojnë rreptësisht çdo autoritet tjetër nga ana e kishës.

2.- Kisha nuk ka autoritet për komentimin e Librit të Shenjtë, ndërkaq çdo i krishterë mund të bëjë komentimin e tij. Adhurimet dhe predikimet nxirren nga Libri i Shenjtë.

3.- Nga misteret e shenjta pranojnë vetëm pagëzimin dhe kungimin. Sipas disave kungimi është vetëm një kujtim.

4.- Ata nuk e pranojnë autoritetin e kishës për faljen e mëkateve. Nuk e pranojnë ndërmjetësimin e kishës ndërmjet Zotit dhe besimtarit. Prandaj, nuk ka nevojë për papët ndërmjet Zotit dhe njeriut. Prifti, meshtari nuk ka bekime hyjnore, kështu që nuk ka dallim ndërmjet tij dhe besimtarit, gjegjësisht nuk ka dallim mes klerikëve dhe laikëve.

5.- Përpos simpatizuesve të kishës anglikane të tjerët nuk kryqëzohen.

6.- Adhurimin dhe ceremonitë i bëjnë në gjuhën e tyre.

7.- Nuk besojnë në purgator dhe në dënim të përhershëm. Nuk bëjnë pjesë në besimin katolik për Marinë.

8.- Shenjtorët nuk i pranojnë dhe për ta nuk bëjnë rituale speciale, as engjëjt, ikonat e shenjta dhe nuk e praktikojnë rendin priftëror.

9.- Triniteti ekziston te të gjithë protestantët. Kurse në çështjet kryesore nuk dallojnë nga kishat tjera.

10.- Lejojnë martesën e murgjve, murgeshave dhe priftërinjve, po ashtu lejohet edhe divorci i të martuarve besimtarë.

11.- Në ceremonitë e tyre përdorin bukë pa tharmë. Predikimi është një element shumë i rëndësishëm në vendet ku tubohen dhe luten.

12.- Shpëtimi i njeriut nuk është vetëm përmes kishës dhe veprave të mira, si te katolikët, por ai arrihet vetëm përmes besimit të sinqertë në Krishtin, i cili vdiq për mëkatet e besimtarëve të tij.

13.- Qelia themelore dhe më kryesore e kishës protestante është komuna kishtare; kjo është plotësisht e pavarur.

Qysh në fillim të shfaqjes dhe të afirmimit të tij brenda për brenda protestantizmit u vërejtën dallime të rëndësishme, ndërsa vetë Martin Luteri (kah fundi i jetës së tij) “i zbuti” aty-këtu pikëpamjet e veta, duke hequr dorë nga disa pohime e formulime “të forta”. Nxënësi i tij zviceran Xhon Kalvin (John Calvin 1509-1564), “ i cili që nga viti 1541 filloi të sundonte në Gjenevë, e shtjelloi një formë shumë më dogmatike dhe më depresive të protestantizmit”. Kështu zuri fill dallimi midis luterianizmit, në njërën anë dhe të kalvinizmit, në anën tjetër. Po ashtu një lëvizje të ngjashme e filloi edhe reformatori zviceran nga Cyrihu, Huldrih Zvingli (Huldrich Zwingli 1484-1531), i cili i largoi ikonat nga kisha.[3]

Luteranizmi u përhap në Gjermani në shtetet skandinave, në Zvicër, Angli, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Francë, Holandë, Belgjikë, Çeki, e në Afrikën Veriore etj. Sot në botë ka rreth 350 milionë protestantë.

Gjatë historisë gati 500-vjeçare të protestantizmit, ai u degëzua dhe u nda në shumë rryma, bashkësi, lëvizje e fraksione të ndryshme. Sot për sot grupet më të njohura protestante janë: babtistët, presbiterianët, metodistët, kuekerët, puritanët, kongregacionistët, dëshmitarët e Jehovait, kalvinistët, luterianët, adventistët cvinglistët, jansenistët, evangjelistët, menonitët, revivalistët, pentekostalët etj.[4] Për t’i shtjelluar të gjitha këto fraksione, pa dyshim se do të duhej një studim i veçantë, prandaj këtu do t’i parashtrojmë vetëm disa fraksione që ekzistojnë në trojet shqiptare, e që janë:, babtistët, evangjelistët, adventistët, dëshmitarët e Jehovait, mormonët dhe vëllezërit në Krisht (Christadelphiants).

2.3.1. Baptistët

Pjesëtarët e njërës nga lëvizjet, rrymat apo sektet më radikale të protestantizmit. Zyrtarisht sekti i baptistëve është shfaqur në qytetin Cikao më 1521 të Gjermanisë. Këtë sekt e themeloi Tomas Mincer (Thoma Müntzer, 1490-1525), ish-peshkop i kishës luterane. Shkaku i grindjes ndërmjet baptistëve dhe kishës katolike filloi me refuzimin e baptistëve për t’i pagëzuar fëmijët, duke kërkuar se ky akt të kryhej nën lirinë e plotë kur njeriu është i rritur dhe me vetëdije të plotë. Baptizmi u përhap edhe në Angli, por për shkak të përndjekjes së kishës katolike, e cila ishte kishë shtetërore e që shteti ushtronte dhunë ndaj tyre, disa anëtarë e kishin braktisur Anglinë. Xhon Smith (John Smyth 1554-1612), njëri prej udhëheqësve të komunitetit më 1608 u vendos në Amsterdam.

Në baptizëm lidhur me shpëtimin e shpirtit dhe faljen e mëkateve të njeriut u formuan dy rryma të baptistëve: 1)-Rryma e Xhon Smithit, e cila u quajt “Baptistët Gjeneralë”, sipas së cilës Jezusi është sakrifikuar për t’ua larë mëkatet të gjithë njerëzve pa marrë parasysh nëse janë besimtarë apo jo; dhe 2)-Rryma tjetër e cila u nda nga rryma e parë nën udhëheqjen e Tomas Helvit (Thomas Helwys 1550-1616), të cilët përsëri u kthyen në Angli e që u quajtën “Baptistët Partikularë”, sipas të cilëve Jezusi është sakrifikuar vetëm për besimtarët. Këto dy rryma përsëri u ribashkuan në vitin 1891.

Tiparet më thelbësore të baptizmit janë: mospagëzimi i fëmijëve dhe të vegjëlve, por vetëm i të rriturve, pra i atyre që kanë një vetëdije të caktuar. Prandaj, konsiderohet edhe si një fe e të rriturve, sepse besimi dhe pagëzimi, sipas tyre janë të pandarë nga njëri-tjetri. Biblën e besojnë si libër të shenjtë dhe si autoritet të vetëm. Besojnë në mundësinë e komunikimit të njeriut me zotin; në gjykatën e zotit; në përfundimin e afërt të kësaj bote; në kthimin e Krishtit, i cili do të gjykojë mbi të ngjallurit dhe të vdekurit; Krishtin e llogarisin si Bir të Zotit, shpëtimtar dhe zotëri të botës; gjithashtu besojnë në paracaktimin; e që çdo gjë është e paracaktuar nga ana e Zotit, prandaj liria e vullnetit si mundësi e zgjedhjes së lirë nuk ekziston tek ata.[5] Në këtë pikë janë të ngjashëm me sektin islam të njohur me emrin “xhebrijë”.

Refuzojnë rolin e ndërmjetësuesit të kishës në lidhje me shpëtimin e shpirtit, me afrimin e njeriut ndaj zotit; drejtimin e lutjes “nënës së zotit” dhe shenjtorëve. Po ashtu, refuzojnë kryqin, shenjtërinë, ikonat; fshehtësitë; vendet e shenjta; pirjen e alkoolit dhe të duhanit. Gjithashtu, e refuzojnë shërbimin ushtarak dhe bartjen e armëve, janë të pajtimit të shërbejnë si civilë gjatë afatit ushtarak, refuzojnë shkurorëzimin.

Ndërsa adhurimet i bëjnë ditën e diel. Nuk kanë ndonjë tekst përfundimtarë që përcakton përmbajtjen e adhurimit. Esencën e predikimeve e përbëjnë tekstet e marra nga Bibla. Ceremonia e kungimit bëhet të shtunën një herë në muaj. Buka e thyer është bukë natyrore dhe anëtarët e komunitetit të rreshtuar të gjithë marrin nga një pjesë. Po ashtu pinë edhe prej gotës me verë, megjithatë kjo nuk kuptohet si një sakrament, por vetëm si një përkujtim. Gjatë javës organizojnë tubime të ndryshme.

Kishën e parë baptiste në Amerikë e ka themeluar Roxher Villiamsi (Roger William 1603?-1683), në vitin 1639. Kishat janë lokale dhe tërësisht të pavarura, të cilat e përfaqësojnë autoritetin më të lartë. Kishat evropiane janë të bashkuara në Lidhjen e Kishave Evropiane Baptiste, ndërsa çdo pesë vjet e mbajnë nga një kongres të lidhjes së baptistëve. Si në fillim ashtu edhe më vonë, baptizmin e përkrahën njerëzit më autoritarë të Amerikës në shek. XX, sikurse ishin vëllezërit RokFeller, kryetari i SHBA-së Hari Truman e më vonë edhe Bill Klintoni. Në Amerikë dhe në Angli sot baptistët kanë më shumë se 100 universitete, akademi dhe disa mijëra shkolla të mesme, spitale, shoqëri misionare, revista, gazeta etj. Në vitin 1905 u formua Lidhja e Përgjithshme Baptiste, kurse sot ekzistojnë dy qendra kryesore. Ajo e Evropës në Londër dhe ajo e Amerikës në Uashington. Numri i tyre arrin më se 120 milionë. Aktiviteti i tyre është i bujshëm edhe në trojet tona shqiptare.[6]

2.3.2. Evangjelistët

Evangjelistët janë degë e protestantizmit. Ata, ndryshe nga katolikët dhe të tjerët, me rastin e lutjeve dhe ritualeve fetare u drejtohen vetëm engjëjve. Ata besojnë se për shpëtimin e shpirtit mjafton besimi në Zotin, Jezusin dhe engjëjt. Edhe këta në besim janë të afërt me baptizmin, prandaj e kanë edhe të njëjtin besim në lidhje me paracaktimin e fatit të njeriut nga ana e Zotit, pra janë deterministë në këtë pikëpamje. Sipas tyre, secili njeri që beson në Zotin, Jezusin dhe engjëjt, pra secili evangjelist është paracaktuar të shpëtojë. Nuk e pranojnë besimin në pagabueshmërinë e papës, nuk pranojnë celibatin (beqarinë), shenjtërinë dhe rrëfimin para priftit. Detyra priftërore u lejohet edhe grave.

Në fillim, gjatë viteve 1520-1530, quheshin me këtë emër ata që e pranonin luteranizmin dhe që e praktikonin “predikimin augzburgian të fesë”, sepse doktrinën e tyre e pohuan në Këshillin e Ausburgut në vitin 1530.  Që nga ajo kohë e këndej evangjelizmi erdhi e u bë njëra ndër rrymat dhe lëvizjet fetare e krishtere më të njohura jo vetëm në Evropën Perëndimore, para së gjithash Gjermani Angli etj., por edhe në Amerikën Veriore e gjetkë. Historikisht, si pikë referimi e lëvizjes, konsiderohet ardhja e Filip Jakob Spenerit (Philipp Jakob Spener 1635-1705), në vitin 1666, në  një famulli në Frankfurt, ku u bë kreu i Pietizmit (besimtarëve të thellë) të luteranizmit gjerman. Po ashtu përvoja e konvertimit të Xhon Veslejit (John Wesley 1703-91) në vitin 1738, udhëheqësit të metodizmit brenda kishës së Anglisë. Këto dy rryma mësimet e tyre i mbështesin më shumë në domosdoshmërinë e përvojës personale të shpëtimit sesa vetëm në anëtarësimin rutinor në kishën nacionale, besim ky që pati ndikim të thellë në jetën e devotshme të evangjelistëve.

Në vitin 1846 në Angli u themelua “Lidhja Evangjeliste”, në krye të së cilës qëndronin shumë personalitete të njohura; në vitin 1876, në Amerikë u themelua “Lidhja Evangjeliste Amerikane”. Si në Gjermani, Austri, Angli etj., ashtu edhe në Amerikën Veriore, sot ekzistojnë jo vetëm shumë lidhje, shoqëri, kisha evangjeliste, por edhe institucione–shkolla, fakultete etj., të cilat veprojnë në drejtim të përhapjes, popullarizimit, zhvillimit e organizimit të evangjelistëve dhe të evangjelizmit. Kjo vlen, para së gjithash, për Amerikën Veriore. Edhe në trojet tona ata e kanë shtrirë aktivitetin e tyre. Sot numërohen rreth 100 milionë anëtarë evangjelistë vetëm në SHBA.[7]

Prof. Dr. Zija Abdullahu

————————————————-

[1] Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 398.

[2] “Martin Luther Reformatori” (pa autor) përktheu, Vjollca Dërvishi, Tiranë, 1997, f. 26 e më tutje.

[3] Shiko më gjerësisht për doktrinën e Zvinglit dhe Kalvinit te: Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 546-548, po ashtu edhe për të gjitha këto fraksione dhe të tjera f. 577-608.

[4] Shiko: Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta” (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 194-197; Dr. Urfan Abdulhamid Fettah, النصرانية” “, (Krishterizmi), f. 131-137; Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 383-384; Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 542-548 dhe: 552-553.

[5] Shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 600.

[6] Biljana Gjorgjeviq-Stojkoviq, “Verske sekte”,(Sektet fetare), Beograd, 2002, f. 42-44; Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 54-55; Ekrem Sarikçioglu, “Historia e feve”, f. 577-579; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta” (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 198-208.

[7] Shiko: Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, f. 102-103; Microsoft Encarta Premium 2009, “Evangelism”; Ivan Cvitković, “Religije savremenoga svijeta”, (Religjionet e botës bashkëkohore), f. 197-198.