Qëndrimi islam ndaj librave të shpallur më parë
DIGITAL CAMERA

Qëndrimi islam ndaj librave të shpallur më parë

Feja islame i pranon librat e mëparshëm, por vetëm Tevratin origjinal, i cili iu shpall h. Musait a.s.  (Torën) dhe Zeburin origjinal që iu shpall h. Davudit a.s. (Psalmet e Davidit). Kurse librat e tjerë, të cilët janë përmendur në Dhiatën e Vjetër nuk i thekson dhe si rrjedhojë nuk i pranon ata. Po, ashtu e pranon edhe Inxhilin origjinal të shpallur te Isai a.s. (Ungjillin – e jo Ungjijtë siç janë sot, sepse sipas Kuranit famëlartë Zoti i ka shpallur h. Isait a.s.\ Jezusit një Ungjill), ndërkaq nuk i pranon librat e shumtë që janë përmend në Dhiatën e Re.

–  Në Kuranin famëlartë Allahu xh.sh. thotë:

“Allahu! Nuk ka Zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit Mbajtësit të çdo gjëje. Ai ta ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka  zbritur Tevratin dhe Inxhilin.” [1]

“…e para tij (Kuranit) ishte (dëshmitar) libri i Musait (Tevrati) që ishte udhërrëfyes e mëshirë…” [2]

Librat e tjerë, që i përmendëm më parë, sipas qëndrimit islam nuk konsiderohen të shenjtë. Mirëpo pasi që Kurani fisnik e pranon Tevratin dhe e konsideron si libër të shpallur, pamë se nga Tevrati i vërtetë nuk ka mbetur, përpos fare pak të vërtetave që kanë qenë më parë. Vallë, ku mbeti libri i shenjtë i vërtetë?

Kurani famëlartë na përgjigjet se një pjesë të tij e kanë humbur jahudinjtë nga mosinteresimi dhe tjetrën e kanë ndryshuar. Allahu xh.sh. thotë:

“…Ata i kanë shtrembëruar fjalët nga vendet e tyre dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre…” [3]

 

 “Thuaj: (o Muhamed) “O ithtarë të Librit! Nuk jeni në kurrgjë derisa të mos i zbatoni Tevratin e Inxhilin, dhe asaj që ju është shpallur nga Zoti i juaj (Kurani)…” [4]

“Shembulli i atyre, që janë ngarkuar me Tevratin, pastaj nuk e zbatuan atë, është si shembulli i gomarit që vetëm sa i mbart librat. Po sa shembull i keq është shembulli i popullit që i përgënjeshtron argumentet e Allahut! Allahu nuk e udhëzon (në rrugë të drejtë) popullin mizor”. [5]

Kurani famëlartë na sqaron se Tevrati përmbante parime të vërteta me të cilat ishin dërguar pejgamberët e mëparshëm. Allahu xh.sh. thotë:

“Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta shpalli ty (Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain, dhe Isain…” [6]

Dhe shumë ajete të tjera të cilat vërtetojnë se këta dy libra përmbanin të vërtetat e shpallura, por ndërhyrja e dorës së njeriut i solli deri në këtë gjendje, ku shumë pak prej tyre kanë mbetur të vërteta.

Mirëpo, çfarë qëndrimi duhet të kemi ne ndaj librave që i ka njohur Kurani famëlartë dhe ndërkohë i ka treguar si të devijuar? Devijimi a është i tërësishëm apo i pjesshëm? Cilat tekste janë të devijuara dhe cilat kanë mbetur pa ndërhyrë dora e njeriut? Pra, cilat tekste duhet pranuar dhe cilat jo? Me çfarë peshoreje duhet t’i matim të vërtetat e këtyre librave dhe ta dimë se cilat tekste janë të devijuara e të falsifikuara dhe cilat kanë mbetur ashtu siç kanë qenë?

Kurani fisnik është shpallje e fundit hyjnore, në të cilin nuk ka mundur të depërtojë dora e njeriut me ndërhyrje apo me ndryshim e devijim, sepse atë vetë Zoti e ka garantuar,[7] prandaj ai është peshorja absolutisht më e mirë për të arritur deri tek e vërteta e sqarimit se cilat tekste në librat hebraike apo të të krishterëve janë devijuar e cilat kanë mbetur ashtu siç kanë qenë. Allahu xh.sh. thotë:

“Edhe ty (Muhammed) ta zbritëm Librin (Kuranin) me të vërtetën e argumentuar, për të vërtetuar Librat e mëparshme dhe mbrojtës për ta”. [8]

Në bazë të asaj që u tha më lart, mund të arrijmë në qëndrimin vijues:

  1. a) – Atë që përputhet me Kuranin famëlartë dhe hadithet e vërteta në kuptim dhe domethënie, të cilët e vërtetojnë një gjë të tillë, atë e pranojmë si të vërtetë, sepse ajo ka mbetur pa u humbur dhe pa devijuar. Siç është në disa vende në Torë dhe Ungjij kur flitet për Njëshmërinë, fuqinë, pushtetin absolut, bujarinë, mëshirën e drejtësinë e Zotit.[9] Po ashtu, kur përmenden disa ngjarje të cilat i thekson edhe Kurani famëlartë, edhe ato i konsiderojmë të vërteta dhe i pranojmë.
  2. b) – Atë që e mohon Kurani famëlartë apo hadithet e vërteta, ajo duhet mohuar dhe mos pranuar, sepse është e shpikur dhe e sajuar, siç theksuam edhe më lartë.
  3. c) – Për ato çështje që Kurani famëlartë dhe hadithet e vërteta kanë heshtur dhe nuk i kanë përmendur, atëherë ato çështje duhet t’i paraqiten logjikës së shëndoshë dhe gjykimit historik, në qoftë se një gjë e tillë është e mundur, pranohet logjikisht dhe kanë ndodhur gjatë historisë ne i pranojmë, përndryshe ato nuk kanë vend në besimin islam.

Allahu xh.sh. na tregon se disa pjesë i kanë ndryshuar dhe disa kanë mbetur në origjinalin e tyre siç kanë qenë, Allahu xh.sh. thotë:

“A nuk i sheh ata, të cilëve u është dhënë një pjesë e Librit?!…”.[10] Këtu tregon se ata e kanë një pjesë të saktë, por pjesët tjera pra ku mbetën? Allahu xh.sh. thotë:

“…dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla…”.[11] Edhe këtu Allahu xh.sh. na tregoi se ata e kanë harruar një pjesë dhe të tij.

Pejgamberi s.a.v.s., udhërrëfyesi ynë, edhe këtë çështje nuk e la pa na e shpjeguar. Siç transmeton Ebu Hurejra r.a. në një hadithë, ai thotë:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ كَانَ أَهْلُ الْكِتَابِ يَقْرَءُونَ التَّوْرَاةَ بِالْعِبْرَانِيَّةِ وَيُفَسِّرُونَهَا بِالْعَرَبِيَّةِ لِأَهْلِ الْإِسْلَامِ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَا تُصَدِّقُوا أَهْلَ الْكِتَابِ وَلَا تُكَذِّبُوهُمْ وَقُولُوا آمَنَّا بِاللَّهِ وَمَا أُنْزِلَ إِلَيْنَا وَمَا أُنْزِلَ إِلَيْكُمْ الْآيَة

“Ithtarët e librit e lexonin Tevratin hebraisht dhe e komentonin arabisht për muslimanët. Prandaj, i dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Mos u besoni ithtarëve të librit, e as mos i përgënjeshtroni, por thoni : “Ne i besuam Allahut dhe asaj që na u zbrit neve dhe asaj që u zbriti (në origjinal) juve” [29-Suretu Ankebutë: 46].[12]

Libri tjetër i jahudinjve është:

Talmudi

Talmudi: (hebr. Lamejd- studimi, doktrina, përkatësisht lamod – mësoj, studioj etj.)- shkrimi fetar – juridik hebraik, i cili përbëhet nga dy lloje shpjegimesh dhe komentimesh:

  1. a) – Shkrimet e kodifikuara rabiniste të shkrimeve biblike, përkatësisht të Torës si shkrim i shenjtë i hebrenjve; dhe
  2. b) – Shpjegimet e komentimet e traditës juridike hebraike postbiblike. Që të dyja llojet e shpjegimeve të teorisë dhe të praktikës juridike hebraike përbëjnë Talmudin, e që përmbledh një grumbuj dispozitash ligjore të detajuara, që kanë të bëjnë me aktivitetin e jetës qytetare, shoqërore, ligjit penal dhe marrëdhënieve të tjera ndërnjerëzore. Kjo përmbledhje zuri fill aty ka shekulli IV, kurse përfundimisht u formua në shekullin VI të erës sonë.[13]

Talmudi është libri i dytë me rëndësi dhe konsiderohet te një pjesë e madhe e hebrenjve si Libër i Shenjtë menjëherë pas Torës. Madje, te një pjesë tjetër e hebrenjve ai konsiderohet si shpallje hyjnore, prandaj shenjtëria e Talmudit shpesh e tejkalon edhe vetë Torën, respektivisht përparësia e tij është mbi librat e tjerë të shenjtë. Shumë çifutë janë të të njëjtit mendim me shpjegimin e rabinit Adina Steinzaltzit, i cili tha: “Në qoftë se Bibla (Tanahu) është gur themel i jahudizmit, atëherë Talmudi është shtylla e mesme, e cila ngrihet nga themeli dhe mban tërë barrën intelektuale dhe kulturore të hebraizmit (…) asnjë vepër tjetër nuk mund të radhitet me ndikimin e saj në aspektin teorik dhe në atë praktik në jetën çifute sa Talmudi.”[14]

Me gjithë këtë pozitë të lartë dhe famë fetare që posedon Talmudi, prapë ai nuk ka të njëjtën pozitë te të gjithë jahudinjtë.

Ortodoksët hebrenj, e konsiderojnë atë si shpallje hyjnore të mbrojtur nga të metat dhe mangësitë. Talmudi – sipas tyre – ishte ai që ua ruajti atyre identitetin në diasporën e gjerë të botës ku ishin të shpërndarë dhe i ka mbrojtur nga asimilimi dhe humbja në mesin e vendeve, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, ku ata janë gjendur. Madje, u ka mundësuar ballafaqimin me lloje të ndryshme sfidash, me tërë ato peripeci dhe katastrofa që nga likuidimet e shpeshta individuale, deri te dëbimet kolektive. Pra, pas ruajtjes së ekzistencës së tyre historike, me tërë këto ballafaqime qëndrojnë pikërisht mësimet e Talmudit dhe ajo që përmban nga dispozitat legjislative të detajuara të cilat i mbulojnë të gjitha aktivitetet e jetës njerëzore. Talmudi është i mbrojtur nga gabimet dhe nuk mund të ketë ndonjë dyshim në të, sepse është shpallje gojore e transmetuar në një seri gojëdhënash të pashkëputura ndër njerëz të besueshëm që nuk mund të depërtojë kurrsesi dyshimi në të, që nga Moisiu, pastaj te Jozeu, Asdra, te profetët e tjerë e deri tek anëtarët e këshillit të kryepleqve suprem të Sanherdinit. Talmudi u transmetua në mënyrë gojore nga frika se mos përzihej me Torën e shkruar.

Pra, jahudinjtë ortodoksë dhe rabinët janë të gjithë të të njëjtit mendim se Moisiu në Sina e ka pranuar ligjin dualist: Torën e regjistruar, të cilin e shënoi Moisiu nën diktimin direkt nga Zoti i Lartmadhëruar dhe Torën gojore, i cili u transmetua gojarisht i mbrojtur nga  gabimet gjatë një zinxhiri njerëzish të besuar. Me tërë këtë konsideratë të madhe që kanë ndaj Talmudit, prapë këtë emër nuk e hasim askund në Dhiatën e Vjetër.

Ndërsa hebrenjtë reformistë të kohës moderne dhe sekti karain – lexuesit – e kohës abasite islame kanë mendim të ndryshëm ndaj Talmudit. Reformistët e konsiderojnë si trashëgimi e vjetër, së cilës i ka kaluar koha, dhe që nuk i përshtatet shpirtit të kohës moderne. Ai është një përmbledhje dispozitash të cilat i kanë nxjerrë në pah situatat historike të rastisura që kanë kaluar dhe zhdukur. Prandaj, ai e ka humbur vlerën e tij dhe nxitjen shpirtërore fetare.

Sekti karainë – lexuesit, e konsideruan Talmudin si mbeturina të sajuara nga rabinët, prandaj nuk ka ndaj tij asnjë detyrim, sepse nuk ka mbështetje legjitime fetare. Po të njëjtin qëndrim kishin edhe hebrenjtë mistikë të mesjetës krishterë të cilët e konsideronin Talmudin si rastësi objektive të thjeshtë, i cili qëndron si pengesë e konceptimit të kuptimeve të vërteta dhe të fshehta të Torës.

Kurse qëndrimi i krishterë, deri në dekadat e fundit të shekullit të njëzetë ishte si qëndrim nënçmues, shpifës, tek i cili janë vënë në skenë ashpërsitë e një fetarizmi që i jep rëndësi dokeve dhe formave të jashtme, por që përmban një varfëri të nxitjes shpirtërore reale. Për më tepër, përmban shprehje të shpifura e të sajuara nënçmuese dhe akuza ndaj Jezu Krishtit. Talmudi, sipas tyre, ishte përgjegjësi historik në thellimin e dukurive të fanatizmit kolektiv dhe moral ndaj jojahudinjve. Prandaj, qëndrimi i kishës krishtere – sidomos asaj katolike – ndaj Talmudit ishte përbuzës dhe shpotitës ndaj mësimeve të tij, pra moskonsiderimi dhe mospranimi i tij. U morën edhe hapa konkretë me dekrete zyrtare papnore, si ai që e nxori Gregori i IX[15] në vitin 1239, për djegien e çdo kopje, bile të çdo flete, duke e hedhur hirin në lumenj dhe dete, dhe ndaluar diskutimin apo ftesën për të.[16]

Talmudi, në aspektin përmbajtjesor, u ngjan vendimeve të kuvendit popullor, të ndërmarra për probleme të rëndësishme jetike. Vetëm se këtu njerëzit për të cilët bëhet fjalë janë vetë hebrenjtë. Ligji, doktrina, komentimet e Librit të Shenjtë, ligjëratat, shpjegimet e historisë dhe tregimet e shkurtra, janë një mozaik në njëra-tjetrën. Ai është i rregulluar në ujdi me urdhëresat dhe ndalesat për problemet e jetës ditore, me Librin e Shenjtë dhe me transmetimet gojore të Ligjit. Në të kundërtën nuk numërohet si urdhër hyjnor.[17]

 

1-  Pjesët e Talmudit

Talmudi përbëhet nga dy pjesë kryesore: Mishna dhe Gemara.

 1.1.  Mishna

(Hebr.-doktrina, mësimi, studimi, ligji i përsëritur etj.), përbën pjesën e parë të Talmudit. Mishna konsiderohet përmbledhje e rregulluar dhe e kanonizuar e transmetimeve të pagabuara gojore. Prandaj, është bërë si zakon që pjesë nga Mishna të këndohen gjatë kryerjes së lutjeve nëpër sinagogë. Me shekuj, është zhvilluar përmirësimi i Mishnas. Vetë Sanhedrini, ka sjellë shumë ligje të reja të cilat janë konsideruar si nevojë e situatave të reja. Mishna është përmbledhje e diskutimeve, e vendimeve të autoriteteve fetare më të mëdha, të cilët kishin njohuri të mëdha; dinin përmendësh tekste të tëra, rregulla dhe zakone, të cilat, në mënyrë gojore, ua kanë transmetuar nxënësve të tyre. Për mbledhjen dhe rregullimin e materialit të Mishnës janë angazhuar mësuesit më të njohur, por saktësisht redaktimin dhe sistematizimin e saj e ka bërë Jahuda Hanasi me bashkëpunëtorët e tij rreth vitit 200 të e.s.. Nxënësit e tij e kanë vazhduar më tej punën e tij, kështu që mund të thuhet se sistematizimi komplet i Mishnas ka përfunduar rreth vitit 220.[18] Mishna, sipas mendimit të kompetentëve, është e ngjashme me kuvendet parlamentare në të cilat zhvillohen debate të ndryshme, madje dëshmohet edhe me vargje poemash, me ngjarje e tregime të trashëguara, ndodhi historike dhe me mendimet e kundërshtarëve. Në fund arrihet në vendimin përfundimtar i cili konsiderohet si dispozitë ligjore, e cila është e detyruar të zbatohet. Pra, Mishna, është formuar duke komentuar dhe duke nxjerrë ligje nga Dhiata e Vjetër, dhe më pas, ata komentime, diskutime, dhe vendime mësuesit i kanë transmetuar te nxënësit. Kjo përmbledhje ngjan me lëndën e fikhut (jurisprudencën) në islam. Mirëpo, me kalimin e kohës, ai material vetëm sa vinte e shtohej dhe nuk mund të mësohej përmendësh. Pra, u paraqit nevoja e domosdoshme për ta shkruar, rregulluar dhe organizuar atë në traktate të veçanta. Nga arsyet e tjera të nevojshme për shkrimin e Mishnës, ishte edhe zhdukja e mësuesve të saj, nga luftëra të ndryshme, siç ndodhi në kohën e kryengritjes së Bar Kohbas, ku numri i të vrarëve ishte aq i madh saqë e kërcënonte edhe vetë popullin çifut për mbijetesë, dhe një numër i madh mësuesish u zhduk, e bashkë me ata u zhduk edhe dituria që kishin me vete, kështu që më pas lindi nevoja për ta shkruar atë që më parë e kishin transmetuar vetëm gojarisht.[19]

Mishna përbëhet nga 63 traktate të ndara në gjashtë pjesë apo kaptina:

1-Ziraim,(Farat) bën fjalë për bujqësinë dhe përmban 11 traktate.

2-Moed,-(Festat) përmban rregullat për të shtunën dhe për festat e tjera (12 traktate).

3-Nashim,- (Gratë) përfshin rregullat për të drejtën familjare (7 traktate).

4-Nezikim,- (Dënimet) shtjellon rregullat për të drejtën penale dhe atë civile (10 traktate).

5-Kodashim (Flijimet) shqyrton rregullat për flijimet rituale hebraike (11  trakte).

6-Tahorat (Pastrimet) flet për rregullat e pastrimet rituale (12  trakte).[20]

Pjesa tjetër e Talmudit është:

1.2- Gemara

Gemara (aramaisht – kompletim dhe vazhdim) është pjesa e dytë e Talmudit. Pasi që Mishna me kalimin e kohës ishte e vështirë të kuptohej nga disa lexues, dijetarët hebrenj asaj i bënë shumë komentime dhe anëshkrime, të cilat e morën emrin Gemara. Kështu pra, çdo frazë që është cek në Mishna është komentuar me precizitet duke i bashkangjitur largimin e kontradiktave, në qoftë se ekzistojnë dhe harmonizimin e plotë mes tyre.

Pra, Talmundi përbëhet nga tërësia e veprave të Mishnas dhe Gemaras, e që është një shënim i madh enciklopedik legjislativ i përbërë nga 36 pjesë. Formën përfundimtare e ka marrë gjatë një periudhe historike që ka vijuar për shekuj të tërë. Mishna, në të cilën gjenden shtesat dhe komentimet e rabinëve palestinezë, quhet “Talmudi i Jerusalemit, apo Talmudi Palestinez”. Kurse ajo, në të cilën gjenden shtesat e rabinëve babilonas, quhet “Talmudi Babilonas”. Ndërmjet dy versioneve ka ndryshime në përmbajtje, metodë, sistematizim, e po ashtu edhe në gjuhë.

Talmudi i Jerusalemit dallon ngaqë çdo temë që trajton e paraqet tekstin e Mishnës të cilin e komenton. Ai është shkruar në gjuhën aramaike veriore dhe nuk është voluminoz si ai babilonas. Madhësia e tij arrin në një të tretën e këtij të fundit. Po ashtu radhitja e tij ka pamje kontradiktore dhe të gjymtuar në krahasim me atë babilonas.

Edhe për përgatitjen e këtij versioni është dashur kohë e gjatë, që nga shekulli II, e deri në shekullin e IV-V, të erës sonë.

Ndërsa Talmudi Babilonas, i cili u kompletua në Babiloni ndryshon, sepse përmbledh tërë përmbajtjen e Mishnës dhe historia e tij është e lidhur ngushtë me syrgjynosjen babilonase. Ai është i shkruar në gjuhën aramaike jugore. Për faktin se ai u shkrua në një periudhë të cilësuar si të qetë, të sigurt dhe me hapësirë të lirisë të formimit të shkollave, erdhi më me vlerë dhe më i mirë sesa ai i Jerusalemit. Përpilimi i tij filloi në shekullin IV dhe përfundoi në shekullin VI të e.s.[21]

Përmbajtja e Talmudit po ashtu ndahet në dy pjesë të tjera, në Halalah dhe Haggada. Halalah shpjegohen rregullat si: urdhëresat, ndalesat, lejimet etj. Sipas llogaritjes së rabinëve në Talmud ka 613 ligje, 248 janë urdhra, kurse 365 janë ndalesa. Ndërkaq Haggada është pjesa në të cilën shpjegohen tregimet e simboleve dhe të ligjëratave, legjendat dhe fjalët e urta etike. Halalah njeriun e shtrëngon me ligje fetare, kurse Haggada me këshillat, fjalët e urta dhe me tregimet e saj jep lehtësim dhe qetësim. Të dyja synojnë që Talmudin dhe të kaluarën ta lidhin me të tashmen.[22]

Përmbajta e Talmudit nuk ka të bëjë vetëm me problemet religjioze, por ai mund të konsiderohet si një enciklopedi e madhe dijesh për hebrenjtë në fusha të ndryshme të njohurisë, si: në filozofi, histori, ekonomi, etj. Historianët e konsiderojnë si një burim shumë të mirë, për të kuptuar jetën çifute gjatë shumë shekujve. [23]

Dr. Zija Abdullahu

……………………………………………..

[1] 3-Ali Imran: 2-3.

[2] 11-Hud: 17.

[3] 5-Maide: 13.

[4] Po aty: 68.

[5] 62-Xhumuah: 5.

[6] 42-Shura: 13.

[7] Shiko: 15-Hixhr: 9.

[8] 5-Maide: 48.

[9] Shiko: “Koncepti i Zotit në Bibël dhe Kur’an”, punim diplome nga: Jeton Bilalli në F.S.I. Prishtinë, 2006, f. 10-13.

[10] 3-Ali Imran: 23.

[11] 5-Maide: 13, 14.

[12] Buhariu në Sahihun e tij, libri: el-I’tisam bil kitab ves-suneh, babu: kavlun-nebijji la tes’eluu ehlel kitab, nr. i had. 6814.

[13] Dr. E. Murezai, “Fj. i feve”, f. 520-521.

[14] Grup autorësh, Čovječanstvo u potrazi za Bogom”, (Njerëzimi në kërkim të Zotit), f. 221.

[15] Emri origjinal ishte Ugolino Di Segni. Ishte një nga papët e fuqishëm të shekullit XIII (ishte në krye të kishës katolike nga viti 1227 e deri në vitin 1241). Ishte mbrojtës dhe themelues i inkuizicionit katolik dhe gjithashtu deklarues i ligjit të vitit 1234, i cili ishte një kod i ligjit të kishës katolike, dhe që vazhdoi të mbetej në fuqi deri pas Luftës së Dytë Botërore. [Për më tepër shiko: Encyclopaedia Britannica, 2008, Ultimate Reference Suite, kërkesën Gregory IX].

[16] Shiko: Dr. Urfan Abdulhamid Fet-tah, “اليهودية عرض تاريخي” (Jahudizmi, prezantim historik ), f. 157-159.

[17] Ekrem Sariçoglu, “Historia e feve”, f. 420.

[18] Cadik Danon, “Оснобни поими на Јудаизмот” (Njohuritë themelore të jahudizmit), f. 96.

[19] Aleksandar Menj, “Istoria religie” (Historia e religjioneve), Beograd, 2005, f. 450-451.

[20] Po aty, f. 96, 97, po ashtu shiko: Dr. E. Murezai, “Fj. i feve”, f. 285-286 dhe: 520-521.

[21] Seadud-din Salih,”العقيدة اليهودية” (Besimi i jahudizmit), f. 187.

[22] Ekrem Sariçoglu, “Historia e feve”, f. 421.

[23] Aleksandar Menj, “Istoria religie” (Historia e religjioneve), f. 452.