Reagim ndaj “dëshmisë” së Ipeshkvit Dodë Gjergji në Strasburg me dat. 19 shkurt 2008.

Reagim ndaj “dëshmisë” së Ipeshkvit Dodë Gjergji në Strasburg me dat. 19 shkurt 2008.

Senad Maku
23.02.2008

“Ofensivat Katolike” dhe të Ithtarëve të tyre të marruara kohëve të fundit, por edhe në të kaluarën si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe trojeve tjera ku jetojnë shqiptarët, po merr përmasa shqetësuese. Rastet janë të shumta që kanë të bëjnë me një Islamofobi dhe anti-Islam. Në raste të shumta të Islamofobisë, mund të veçojmë disa, si: rastin e ish-presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu ku në nëntor 2005 ka mbajtur një ligjëratë në forumin e Oksfordit, ku ka fyer rëndë identitetin e myslimanëve në Shqipëri, kur deklaroi se “shqiptarët nuk janë muslimanë, dhe po ti gërvishtës pak dalin të krishterë”.. Po ashtu rastin e Qerim Ujkanit, Ndue Ukajn, Baki Ymeri, Dom Lush Gjergji, të cilët janë drejtuar kundër kulturës Islame, vetëm e vetëm të sulmohet ky besim Islam dhe ta prishin marrëdhënien ndërfetare të mira që kemi pas me shekuj dhe që kemi ende. Rasti tjetër është ndërtimi i një Katedraleje mu në zemër të Prishtinës, përball Kishës Ortodokse serbe pranë Bibliotekës Kombëtare Universitare, në kohën kur nuk ka besimtarë të mjaftueshëm katolikë për ta mbushur as kishën ekzistuese katolike në Prishtinë, dëshmon apriori qëllimin politik të ndërtimit të katedrales, e jo nevojën elementare fetare të besimtarëve katolikë. Në kohën kur në Prishtinë, në borë e në shi mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë detyrohen të falen jashtë xhamive në mungesë të hapësirës së nevojshme për falje.

Për të afishuar dhe deklaruar përpara Evropës “rrënjët krishtere të shqiptarëve”, kohëve të fundit në vendin tonë po ngrihen kudo buste të Nënë Terezës dhe emrin e saj po e marrin institucione, sheshe dhe objekte të rëndësishme si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, etj. Po ashtu në shërbim të këtij afishimi edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu (të cilin rilindasit tanë me mençuri ia dolën që ta bëjnë të pranueshëm si hero kombëtar për të gjithë shqiptarët si simbol bashkimi, lirie dhe rezistence), kohët e fundit ka filluar të paraqitet si “atlet i Krishtit”, “shpëtimtar i Evropës së Krishterë nga rreziku osman” etj.
Rasti tjetër është Predikimin i don Shan Zefit, kancelar i Ipeshkvisë katolike të Kosovës në Kravasari të Malishevës të mbajtur me datën 20 Janar 2008, i cili në rastin më flagrant është përjashtuese, urrejtë nxitëse dhe përçarëse karshi shumicës së shqiptarëve të besimit musliman në Kosovë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Kisha e Kravasarisë e ndërtuar midis popullatës muslimane e tregon shembullin më të keq të predikimit të fesë së krishtere duke u shndërruar në kishë politike dhe dezintegruese për kompaktësinë shqiptare. Tentimet të cilat bëhen në vazhdimësi nga disa krerë të Kishës Katolike në Kosovë për të neglizhuar, poshtëruar dhe konvertuar shqiptarin musliman, jo vetëm që nuk i shkojnë në favor të mirë, por e prishin imazhin e shqiptarit tolerant dhe e rrënojnë bashkëjetesën e cila është themelore dhe e shtresuar mirë midis popullatës së gjerë, por edhe në trojet shqiptare në përgjithësi.

Kohëve të fundit, në vazhdën e sulmeve të para disa ditëve është “dëshmia” e Dodë Gjergjit në Strasburg, para parlamentarëve evropian me datë 19 shkurt 2008, i cili në dëshmin e tij tepër fyese për 95% të popullit Shqiptarë që i përkasin besimit Islamit, të ilustruar me shpifje e trillime shumë provokuese, para të cilëve nuk duhet heshtur.
Deklaratën apo “dëshminë” e Dodë Gjergjit mund ta veçojmë në disa pika dëshminë e tij para parlamentarëve, të cilat janë:
a) përhapja e Islamit me dhunë dhe me haraçe, dhe kthim në fenë e vjetër të krishterë, dhe nxitë një pjesë të rinisë dhe të intelektualëve të orientohen në kërkimin e “rrënjëve”, trashëgimin tonë të përbashkët shpirtëror, që ne e quajmë “pagëzimin kulturor”;
b)Persekutimet e ndryshme nga ana e poshtuesit turku-otoman, dhe kleri katolik ishte ai që barte dhe ruante vlerat, kulturën tonë (krishtere), gjuhën , etj.;
c)Duke veçuar dhe lartësuar dy figurat e ndritura të popullit tonë Gjergj Kastrioti, – Atleta Christi dhe e Lumja Nëna Terezë (1910-1997), bija e popullit tonë;
e) Ne kërkojmë me këmbëngulje dialogun ekumenik me Kishën Ortodokse Serbe, sepse jemi dy Kisha të krishtera. Në të kaluarën kemi pasur suksese të mjaftueshme në këtë drejtim, etj.
Ajo që u tha më lartë dhe nga keqdashësit e këtij besimi Islam, ka të bëj me akuzat kryesore që i bëhen Islamit predominon ajo që ka lidhje me përhapjen e tij me dhunë, në përgjithësi në botë, veçanërisht në trojet tona, fe që është imponuar nga pushtuesit dhe si rrjedhojë e kësaj propagande, vijnë thirrjet primitive që na bëhen për tu rikthyer në “fetë e të parëve tanë”, apo më konkretisht fjalët e Dod Gjergjit “në fenë e tyre të vjetër”. Disa kanë shprehur mendime nga më të ndryshmet; disa e kanë vlerësuar si fe të një kulture e civilizimi të pra¬pa¬mbetur, si fe e dhunës dhe e fanatizmit, që pengon mode¬rnizimin e je¬t¬ës, lirinë e të menduarit dhe të shprehurit; fe afriko-azi¬atike e, madje disa e kanë quajtur fe të Lindjes. Por, të shkretët sikur harruakan se edhe fetë e tjera, si: Krishterimi apo Hebraizmi e kanë zanafillën po nga Lindja. Kanë tentuar ta paraqesin islamizimin e shqiptarëve si “një e keqe e madhe”, një konvertim i detyrueshëm me metoda të ndryshme, më shumë me shpifje e me shprehje rrugaçërie, sesa me dëshmi historike, kanë provuar të paraqesin ‘dëshmitë’ se “Islami është fe e turkut”, se “islami është trung i huaj në trupin shqiptarë”, se “është mbjellur me shpatë gjatë pushtimit 500 vjeçarë turk!”, dhe se është “në kundërshtim me zakonet shqiptare” , etj.

Aristidh Kolja (Kryetar i Arvanistasve të Greqisë), në lidhje me këto është shprehur se: “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me anë të dhunës” është pjellë e fantazisë dhe shpikje e murgjëve…“.(1) Duhet përkujtuar Dodë Gjergjit dhe të tjerëve se, Dokumenti i Vatikanit, i vitit 1970 “Orientimi për dia¬log në mes të të krishterëve dhe muslimanëve”, i lëshuar pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, dëshmoi ndryshimin the¬lbësor të opinionit për muslimanët. Ky dokument, në for¬më të rezolutës, e mori përgjegjësinë e pranimit të padre¬jtësisë që i është bërë islamit në të kaluarën, duke dhënë një mesazh të qartë; “Të lirohemi nga paragjykimet ndaj islamit”.(2)
Po ti kthehemi histotisë dhe realitetit dhe duke u liruar nga paragjykimet ndaj Islamit, e vërteta tregon ndryshe. Mënyra e ftesës në Islam ka qenë larg nga gjakderdhja dhe përdorimi i shpatës. Rruga e përhapjes së fesë mbështetet mbi faktin se vet fuqia e ftesës së vazhdueshme në Islam është më e fortë se fuqia e shpates. All-llahu i Lartësuar në librin e Tij të fundit Kuranin thotë: “Nuk ka dhunë në fe” (Bekare 256), kurse në një ajet tjetër thotë: “Thirr (Muhamed) në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshilla të mira, dhe polemizo në mënyrë më të mirë. Vërtetë Zoti yt e di më së miri kush e ka devijuar rrugën e Tij dhe për ata që janë udhëzuar” (Nahl 125), “Thuaj atyre të cilëve u është dhënë Libri po edhe analfabetëve: a e keni pranuar Islamin? Nëse e kanë pranuar, e kanë gjetur rrugën, e nëse e refuzojnë, për ty është obligim t’i lajmërosh, All-llahu i sheh robërit e vet (dhe e di se çbëjnë) “. (Ali Imran 20) Kjo është esenca e thirrjes Islame, e gjithë kjo është paqe, liri dhe zgjidhje, pa detyrim e pa dhunë. Është e vërtetë e pamohueshme se Islami nuk është përhapur me forcën e shpates, por është përhapur me forcën e bindjes me besimin e thellë të njerëzve në drejtësinë e tij.

Nëse kanë dëshirë të dijnë se cila është ajo fe e cila ka përdorë dhunë në konvertimin e tyre, vec pak të shfletohet historia mund të vërehet se cilat janë të vërtetat e feve gjatë historisë. Po të shikohen fetë e tjera, shihet detyrimi i tyre me dhunë që ta përqafonin sidomos fenë e krishtere që qe bërë në mënyrë institucionale. P.sh.: “Sharl Leman- mbret i Francës i detyronte të gjithë ata që nuk ishin të krishterë me anë të shpatës ta pranonin krishterimin. Poashtu, Olafi- mbret i Norvegjisë i ekzekutonte të gjithë ata që refuzonin të hynin në fenë e Krishtit nga banorët vikanë (pjesa jugore e Norvegjisë), ose ia këpuste këmbët dhe duart. Gjithashtu, atje ishte një grup ekstrem që përhapnin krishterimin me forcë, të cilët e quanin veten “vëllezërit e shpatës”.(3)
Gustav Lubuni në veprën e tij “Qytetërimi Islam” fq. 271 tregon se: “Në Spanjë muslimanët u përndoqen në mënyrë më barbare, si asnjëher më parë në histori, vetëm pse thoshin “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Tij”. Këto ndjekje vazhduan deri më 1556 të udhëhequra nga inkuizicioni kishtar. Inkuizicionit iu bashkua edhe mbreti Filipi i dytë, i cili nxorri një ligj, sipas të cilit muslimanët që kishin mbetur në Spanjë, Brenda ditës duhej të braktisnin gjuhën e tyre, traditat e tyre, fenë e tyre, emrat e tyre dhe gjithçka Islame. Pas këtij ligji diskriminues, ai nxorri edhe një dekret tjetër, me të cilin jepte urdhër që të rrënoheshin të gjitha hamamet (banjot publike, më se 900 sosh), me arsyetim se ato ishin gjurmë të pabesimtarëve! Kështu, u zhduk civilizimi Islam me largimin e muslimanëve nga Spanja”.(4)

Po ashtu historia e Krishterimit na mëson se në vitin 1209, në qytetin Berziers, u therën 15.000 albizhanë. Vërtetë, kur një vitez e pyeti Emisarin e Papës, se si do t’i dallonte heretikët nga besimtarët e vërtetë dhe të mirë, iu përgjigj “theri të gjithë dhe lëja Zotit t’i ndajë në boten tjetër”(5). Dikush mund të thotë se është çështje e herëshme, po a nuk ngjau e njëjta gjë në Parisë, në “Natën e Bartolomeut” më 24 gusht 1573, ku tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë të sektit hugenotë nga katolikët. Më pas, u mbytën edhe mbi 100 mijë hugenotë të tjerë anembanë Francës.(6)
Duke folur shkurtazi për persekutimet dhe torturat nga ana e klerëve katolik, gjatë historisë, nuk duhet lërë pa përmendur edhe disa fakte të tjera në trojet shqiptare nga persekutime të tilla, pa kaluar pastaj tek historia e perandorisë Osmane gjatë shekujve në këto troje.
U cekën disa shembuj jashtë trojeve shqiptare, sepse afërsisht në këto kohë, diçka e ngjajshme ngjau edhe me shqiptarët që kishin mërguar në 80 fshatrat e Italisë Jugore, në Kalabri e Sicili, për të cilët Papa Piu IV, me bulën “Romanus Pontifex” (16 shkurt 1564) dhe Klementi i VIII-të (1595), vendosën urdhërin për konvertimin e këtyre shqiptarëve të ritit lindor (ortodoks) në ritin perëndimorë (katolik). Për të rezistuar, ata u detyruan të mërgonin prej një vendi në tjetrin, shpesh duke ua vënë zjarrin të mbjellurave të tyre. Kështu, deriqë u konvertua shqiptari i fundit atje.(7)

I cekëm këto të vërteta historike sa për të dëshmuar vatrat e kulturë së kishës katolike të Dodë Gjergjit, që përmendi në dëshminë e tij. Po ashtu Dodë Gjergji kërkon ku thotë: “Ne kërkojmë me këmbëngulje dialogun ekumenik me Kishën Ortodokse Serbe, sepse jemi dy Kisha të krishtera. Në të kaluarën kemi pasur suksese të mjaftueshme në këtë drejtim”. I nderuari Dodë besoj që fort mirë e dini edhe ju se çka ka vepruar kisha ortodokse serbe gjatë historisë në trojet shqiptare, duke pasur parasysh edhe bashkëpunimin apo “suksese të mjaftueshme” siç e quani ju.
Në “Kanunin“ e vet, Stefan Dushani, shpalli sllavizimin dhe ortodoksizimin e dhunshëm të të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera. Dhuna shkonte deri në damkosjen më hekur të skuqur në fytyrë të atyre që nuk pranonin konvertimin në ortodoks.
Në “ Zakonik Stefana Dušana “ të Stojan Novakoviq, gjinden nenet, ndër të cilat janë:
Neni 10: “Dhe në qoftëse ndodh që ndonjë heretik (besimtarë joortodoks) të jetojë mes pravosllavëve, të damkoset me hekur të skuqur në fytyrë dhe të përzihet, dhe në qoftë se gjendet dikush që i jep strehim, edhe ai të damkoset“.Neni 9: “Në qoftëse gjendët ndonjë heretik, i cili do të jetë martuar me ortodokse, mundet në qoftëse dëshiron të pagëzohet në pravosllav; në qoftëse nuk pranon, t’i merren gruaja dhe fëmijët dhe pjesa e shtëpisë, e ai të dëbohet“.(8)
Që në vitin 1815, Knjaz Miloshi kështu i shkruante Petër Dobërnjës: “Ne, deri më tani, kemi vepruar me fat në të gjitha anët dhe Zoti na ka ndihmuar, kështu që të gjitha qytezat i kemi spastruar (nga muslimanët), dhe vetëm edhe në katër qytete e në Qupri, ka turq”. Ndërkaq, në “Kurorën e maleve” Vojvoda Batriç, brohoriste: “Thyeni (rrënoni) minaren dhe xhaminë”(9). Sepse krahas urrejtes për Islamin, Njegoshi (150 vjetë më parë) frymëzohej me një konflikt midis të krishterëve e muslimanëve malazez që përfundoi me masakrimin e muslimanëve.(10)

Edit Durham, përshkruante konvertimet e dhunëshme që u bëheshin shqiptarëve muslimanë: “Pagëzimet bëhen me tortura. Njerëzit hidhen në ujin e akullt të lumit e pastaj vihen e piqen pranë prushit të zjarrit, derisa kërkojnë mëshirë. Dhe çmimi për gjithë këtë është kthimi në fenë e krishterë – ortodokse” (11) Kështu shqiptarët musliman gjendeshin midis konvertimit dhe vdekjes.
Sduhet lënë pa përmendur një rast, kur Shkodra kishte shpallë kushtrimin në mobilizimin e mbrojtjes së Tivarit (1878)(12) katolikët e Malësisë e të Mirditës në marrveshje me malazeztë, nuk ju përgjigjen thirrjes(13). Madje në Koplik, derisa muslimanët shqiptarë kishin shkuar të luftojnë hasmin, katolikët duke menduar se ata do të vdesin atje, kishin ngritur kryqe nëpër tokat e tyre, për ti uzurpuar ato.(14)

Dodë Gjergji nuk harron të përmend edhe ndikimin që,”kanë ndikuar dy figurat më të ndritshme të popullit tonë, Gjergj Kastrioti, – Atleta Christi dhe e Lumja Nëna Terezë (1910-1997), bija e popullit tonë”.
Siç thotë i nderuari prof. Dr. Muhamet Pirraku, “Kujtdo që ti mbushet mendja t’a vlerësojë Nënë Terezen si nënë e gjithë botës, apo si nënë e të gjithë shqiptarëve, është e drejtë e tij. Ajo mund të ishte “e madhe”, por ama as djersen, as vuajtjet, as dashurinë, as gjakun, as varrin nuk ja fali tokës shqiptare”.(15) Ndërsa nëse Skënderbeu vihej në mbrojtje të drejtëpërdrejtë të krishterimit… Si do të arsyetohet fakti i pjesëmarrjes së tij në luftën e princit të Napolit kundër një princi tjetër të Gadishullit Italik? Në veprimtarinë e tij kishte edhe luftra kundër të krishterëve, por edhe aleancë me ortodoksinë që nuk është krishterizëm perëndimorë! Ai ishte edhe katolik, edhe musliman edhe ortodoks. Si do të arsyetohet aleanca e tij e madhe me serbët, kundër të cilit për këtë arsye u ngritën princa e udhëheqës të rëndësishëm të shqiptarëve? Ai ishte bashkëpunëtorë i një pushtuesi e sundimtari, kundër një pushtuesi e sundimtari tjeter! Aso kohe, ende ishin të pathara damkat e hekurit të skuqur të serbëve të Stefan Dushanit, masakrat, shpronësimet, ndarjet e burrit nga gruaja e të birit nga prindi, si presion i konvertimit të shqiptarëve katolikë në ortodoks. Dhuna e këtyre konvertimeve tregon qartë rezistencën e shqiptarëve për të qëndruar në fenë katolike, dhe nuk kish si të dukej e mirë aleanca e Skënderbeut me nipin e Car Llazarit – Brankoviqin!
Përrallat ‘intelektuale’ se Skëndrebeu e mbroi Evropen nga invadimi Osman, nuk u shiten më as fëmijëve të mitur, athua se nuk kishin rrugë tjetër osmanët për të depërtuar në Evropë, veç asaj që ‘mbrohej’ nga Skënderbeu! Pse të mos e pyesim vetë Skënderbeun çfarë admirimi kishte për krishterimin prendimor të Romës? Ai, tek po largohej i zhgënjyer e i helmuar nga Qyteti i Shenjtë i Romës, në fund të marsit 1467, mallkoj klerin cingun me këto fjalë: “Jo vetëm që duhet të lidhim paqë, por duhet t’ja hapim turkut edhe rrugën drejt Romës, që t’i shtrojë siç duhet këto priftërinj…”(16)

Ndërsa sa i përket pushtimit të Perandorisë Osmane në trojet tonë dhe për tiu përgjigjur Dodë Gjergjit dhe të tjerëve në lidhje me Islamin, themi se Kontaktet e para të shqiptarëve me Islamin dhe gjurmët të islamizmit të tyre dëshmohen relativisht herët. Në shekujt e mesjetës paraosmane tokat shqiptare, për hirë të pozitës së tyre gjeografike, janë frekuentuar dendur prej misionarëve të botës islame arabo-turke, qoftë për qëllime tregtare, qoftë për qëllime fetare etj. etj. të cilat historia i shtjellon shumë mirë. Por unë do të flas në lidhje me perandorinë dhe veprimin e saj në këto troje.
Është faktuar historikisht se Osmanlinjët kanë filluar të duken në viset ballkanike rreth vitit 1354, kohë kur këto vise bënin një jetë feudale dhe vuanin nën sundimin e bizantit, të bullgarëve, të serbëve etj., të cilët edhe shqiptarët ishin vazhdimisht nën sundimin e tyre, dhe malltretimeve të ndryshme.
“Osmanët ishin gjeografikisht larg, kurse ata që shqiptarët u druheshin se mos i thethitnin, ishin popujt kufitarë me origjinë sllave dhe grekë”.(17)

Shumë prej sunduesve ushtronin dhunë ndaj shqiptarëve dhe i terrorizonin ata që nuk u nënshtroheshin urdhërave, ligjeve dhe besimeve të tyre, siç i përmendëm disa më lartë.
Me depërtimin e Perandorisë Osmane dhe me shkatërrimin e Perandorive, për shqiptarët fillon një jetë e re. Perandorin Osmane disa zona apo vende e kanë pritur duarhapur sepse kanë qenë pjesëtarë të fesë Islame edhe para Osmanlinjëve, kurse në disa zona janë pritur dhe konsideruar edhe si shpresë-çlirues.
Perandoria osmane-turke shqiptarët i gjen në gjendjen më të mjerueshme dhe tokat shqiptare të coptuara. Ndërrimi i një pushtuesi të egër me një të butë, i cili me vehte sillte mesazhin hyjnor të Islamit, ishte fillimi i një fati të ri historik, kur fillon të krijohet një shtresë e re e identitetit kulturor e kombëtarë të shqiptarëve. Nën halifatin islam të Osmanlinjëve tokat shqiptare u bashkuan, filluan të frymojnë së bashku, të tregtojnë e të punojnë së bashku. Pastaj, duke parë mesazhet e qarta dhe jodevijuese të Islamit, të cilat i jepnin njeriut vlerë, duke i kushtuar rëndësi lirisë, si gjëja me e çmuar, se si e urrente robërimin e skllavërimin, atëherë mendja e shëndoshë nuk mund të rrinte pa e pranuar. Duket se, çdo gjë që nuk e kishin më parë, tashmë e kishin. E si të mos pranonin të bashkëpunonin me këtë sundues, i cili ua hoqi terrin dhe i la të lirë të jetojnë, të punojnë, të tregtojnë, të lirë në besimet tjera, të organizojnë dhe të kenë një identitet të ri, që gati e kishin humbur.

Do të përmend disa nga argumentet të historianëve dhe të tjerë rreth kohës së Osmanlinjëve dhe depërtimit të tyre në Ballkan e në veçanti në trojet shqiptare.
Historiani ynë i periudhës Osmane, dr. Ferid Duka në lidhje me këtë çështje ka shkruar: “Faktorët që përcaktuan përhapjen e Islamit në tokat shqiptare janë të ndryshëm, por një gjë duhet thënë: nuk ka pasur një politikë islamizuese të zhvilluar me tendencë të posaçme nga sunduesit Osman. Të dhënat flasin se feja Islame është pranuar me dëshirë, nuk ka pasur dhunë në përhapjen e saj me qëllim që të imponohej si fe në masat e popullit shqiptarë”.
Mark Tirta ka pohuar se Islamizimin e shqiptarëve nuk e shihte si dhunë; por si një ftohje, si një bojkotim i shqiptarëve kundër krishterimit, e pikërisht fillimisht kundër ortodoksisë serbe, greke e bullgare që i shpiente në shkombëtarizimin, në tjetërsimin etnik”.
Arsa Millotoviqi, armik i madh i shqiptarëve i cili thoshte se “shqiptarët me përqafimin e fesë Islame i shpëtuan sllavizmit”.(18)
Volteri, njëri nga armiqët e fanatikët më të mëdhenj të Islamit thotë se “ modeli islam i rregullimit të jetës, i pranishëm në kohën e Osmanlinjëve, paraqet shembullin më të mirë të tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare në lirinë e plotë të pjesëtarëve të feve dhe popujve të ndryshëm”.
Historiani Robertson thekson se: “Me të vërtet muslimanët janë ata që e kanë unifikuar zjarrin dhe flakërimin për fenë e vet me zemërgjërësi dhe tolerancë ndaj pjesëtarëve të feve tjera dhe këto janë ata që, krahas tërë përkushtimit dhe vendoshmërisë konsekuente për përhapjen e fesë së vet, i kanë lënë të lirë të gjithë ata që këtë fe nuk e kanë përqafuar, sepse kanë dëshiruar t’i mbesin konsekuent mësimit të vet fetarë”.
Kurse prof.Dr. Muhamet Pirraku thotë se: “Islami nuk ishte fe turke, e as fe e poshtuesit, por ishte sa fe e turqve aq edhe e shqiptarëve dhe të tjerëve dhe turqit në Bashkësinë muslimane osmane paraqisnin vetëm pakicën sunduese”.(19)
Aristidh Kolaj në “Arvanitët”, Athinë, 1985 thotë se:”Nuk ka egzistuar absolutisht asnjë rast kthim feje me dhunë nga ana e turqve”.(20)
Profesori Robert Matran thotë: “ drejtuesit osman nuk kanë pasur vullnet për asimilimin e popullsive të poshtuara, nuk kryen as osmanizimin dhe as islamizimin të detyruar; përndryshe, si do të mund të shpjegonim ruajtjen e gjuhëve greke, bullgare, serbe apo të gjuhëve të tjera dhe feve të tjera…”. Poashtu dr. Çiro Truhelka i cili ka thënë se: “Është mendim i gabuar se Islamizmi është përhapur me dhunë. Egzistojnë argumente të shumta, të cilat e hedhin poshtë këtë. Unë mund të përmend vetëm një dhe ai është se shekulli i 19-të nuk do të gjente asnjë të krishterë dhe asnjë kishë e manastirë në Ballkan, sikur Islamizmi të përhapej me dhunë shtetërore”.(21)

Italiani Roberto Marocco della Roca, ka shkruar: “Islamizmi i Shqipërisë ka qenë një pritë kundër trysnisë sllave”. Pët të provuar këtë me 1604 arqipeshkvi katolik i Shkupit informon Romën se shqiptarët ndiqeshin më shumë nga kisha ortodokse se sa nga turqit musliman”.(22)
Duhet tja bëjë me dije Dodë Gjergjit, që ti përkujtojë vargjet e Gjergj Fishtes i cili në “Lahuta e Malcis”, ka shkruar:
“Por, pse na të vegjël jemi
Pse kend fis e vëlla nuk kemi
Na sot shkjaut s’mund t’i bajmë ballë
Qi po do t’na përpijë gjallë
Prandaj, thom se e lyp e mara
Qi dhe sot na, si përpara
Të rrim njit me mbret të Stambollit
Për me i bamun ballë Nikollit…”.

Dodë Gjergji përmend edhe një shkak të kalimit në Islam të popullatës shqiptare, gjoja gjendja e rëndë ekonomike , haraçet brenda perandorisë Osmane si presion për ta përqafuar fenë Islame. Kjo nuk qëndron, sepse mirëkuptimi midis fesë Islame dhe feve të tjera, tolerance dhe bujaria muslimane kanë qenë çështjet parësore që kanë bërë për vete një numer dhe mas të madhe njerëzish, kurse dhuna dhe haraçi kanë qenë përjashtim. Lidhur me shkaqet e kalimit të shqiptarëve në Islam, Tomas W. Arnold, përveç të tjerash shkruan: “Është e mjerueshme ajo që pohojnë autorët e krishterë se shqiptarët janë detyruar ta pranojnë fenë nën presionin e dhunës e të haraçeve të paligjshme. Këta autorë nuk na ofrojnë fakte për akuzat e tyre. Zmajeviçi konvertimin e dy mijë njerëzve e arsyeton me numrin e madh të tatimeve dhe të taksave të tjera, por ai në të njëjtën kohë e pranon se edhe muslimanët jepnin të njëjtat tatime”.(23)
Është turp i madh për të gjithë historianët që mbështesin këtë tezë, duke e ditur se Islami ishte ai që na mbrojti nga sllavizmi dhe nga humbja e identitetit tonë.
Duke i njohur këto të vërteta, historiani anglez De Lacy shkruan: “Historia e bënë të qartë, se legjenda që “fanatikët musliman u shpërndanë nëpër botë duke detyruar popujt e mundur me majën e shpatës që të pranojnë Islamin’, është një nga legjendat më absurde që historianët ta kenë pranuar ndonjëherë”(24).

Në prag të kapitulimit të Perandorisë Osmane, ekzistonte një rrymë që kërkonte t’i bindëte shqiptarët se “turqit” ishin armiq kryesorë të shqiptarëve, sepse u ‘mohonin’ gjithëçka – propagandë e sajuar dhe e mbështetur fuqimisht nga serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët, që çonin ujë në mullirin e tyre, sepse ishin të vetëdijshëm se me dobësimin e Perandorisë, me shqiptarët do t’i qeronin hesapet më lehtë. Për fat të keq, edhe atëherë sikur sot, në lojën e propagandës së ndyrë sllave, ishin futur edhe disa prijës të fiseve shqiptar.(25)
Pas rënijes së Perandorisë Osmane, italianët dhe malazezët nga e majta, bullgarët në të djathtë, serbët mbi kokë dhe grekët përfundi, të gjithë në aleancë u derdhën si të tërbuar në bark të Shqipërisë. Dhe kur u gjymtua Shqipëria Etnike, sllavët nuk ishin në aleancë me islamikët, por me Athinën e Vatikanin, Moskën e me gjithë Evropën. Cila aleancë i dhuroj Serbisë 1400 km2 me 2 milion banorë? Cila aleancë i dhuroi Greqisë 16844 km2 me 1 milion banorë? Cila aleancë i dhuroi Malit të Zi 2040 km2 me 700 mijë banorë të tokës shqiptare e të popullit shqiptarë?(26)

Apeloj tek shqiptarët në përgjithësi e muslimanët në veçanti që të tregohen maksimalisht të matur dhe të kujdesshëm ndaj këtyre provokimeve të vazhdueshme me qëllime dhe plane të caktuara më parë, dhe të mos bien pre e qarqeve të caktuara politike, por të ruajmë bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare që kemi pas me shekuj dhe e kemi ende. Duke iu shmangur çdo lloj provokimi dhe gënjeshtre. Mirë e ka thënë Sami Frashëri, se po të mos kishte gënjeshtra shumë kredi e myshterinj, askush nuk do të gënjete, as edhe Islamofobët.

Palëve kundërshtare ju citoj një nga citatet biblike ku thotë: “Athua u bëra armiku i juaj, duke ju thënë të vërtetën?” (Galatasve 4: 16)

——————————————————-

1 A. Kolja: “Arvanitët”, Athinë 1986, sipas Hajrudin Muja, “Herezia-edhe një shkak për kalimin e shqiptarëve në Islam, www.shqiperia.yahoogroups.com
2 Dr. Maurice Bucaille, “Bibla, Kur’ani dhe Shkenca”, Gjakovë, fq. 10
3 Takvimi 2002, botuar në Prishtinë, fq. 243
4 Po aty fq. 245
5 “Start” VI, 1982, f.72, sipas H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com
6 Behxhet Jashari: “Katarza papale e Gjon Palit të Dytë dhe “mëkatet” e Kishës katolike”, www.shqiperia.yahoogroups.com
7 Dhori Qiriazi: “Krishterimi në Shqipëri” Tiranë 2000, f.94, 114, sipas H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com
8 S. Novakoviq: “Zakonik Stefan Dusana” Beograd 1848
9 Olga Zirojeviq: “Histori pak e njohur: Feliks Kanic (Felix Kanitzi 1829-1904) – dëshmitar i qytetërimit të fundit osmano-turk në Serbi” “Glas islama”, nr. 90-91, Novi Pazar, maj-qershor 2004. Sipas H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com
10 Petar Petroviq Njegosh: “Kurora e Maleve” verzion i shqipëruar, Prishtinë 1952, Po aty.
11 Edit Durham: “Njëzet vjetë ngatrresa Ballkanike” Romë 1924, f.241, Po aty.
12 Dëshmi gojore nga Burhanudin Fili, nga kopliku, New York 5 shkurt 2006, Po aty.
13 Oliver Jens Schmit: ‘Arbëria Venedike” shqipëruar nga Ardian Klosi, Tiranë 2007, f.469, Po aty.
14 Muhamet Pirraku: “Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë 2003, Po aty.
15 Dr. Muhamet Pirraku: “Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë 2003
16 Oliver Jens Schmit: “Arbëria Venedike” shqipëruar nga Aben Puto, Tiranë 2007, f. 365, sipas H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com
17 Rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarët, Përmbledhje studimesh, fq. 58
18 Për më tepër shih “Islami në shqipëri gjatë shekujve”, Ali M. Basha, fq. 70
19 Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, N. Ibrahimi, fq. 222,223,232
20 Përmbledhje studimesh, vepër e cituar, fq. 47
21 Sipas Muhamed Pirraku, tek Dituria Islame nr. 83 viti 1996 Prishtinë
22 A.M. Basha, vepër e cituar, fq. 47,48,53,54,59
23 Përmbledhje studimesh, vepër e cituar, fq. 115
24 De Lacy O’Leary: “Islam in Crosroads”, London, 1923, f. 8, sipas Hajrudin Muja, “Herezia-edhe një shkak për kalimin e shqiptarëve në Islam, www.shqiperia.yahoogroups.com
25 Sadulla Brestovci: “Mardhëniet shqiptare – serbo – malazeze 1830 – 1878”, Prishtinë 1983, f. 82, 91, 162,188, 189, 190, 200, 223; Faik Konica: “Kombi shqiptar po zgjohet”, Vatra, Shkup 2007, sipas H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com
26 H. Muja, “Përkitazi me trillimin “Aleance Tradicionale sllavo-islamike” të Qerim Ujkanit”, www.shqiperia.yahoogroups.com