RIKUJTIMI I HISTORISË – Hebreo-Krishterimi dhe Sh. Pali

RIKUJTIMI I HISTORISË – Hebreo-Krishterimi dhe Sh. Pali

Shumica e të krishterëve besojnë se Ungjijtë janë shkruar nga dëshmitarë të drejtpërdrejt te jetës së Jezusit dhe, për këtë arsye, ata paraqesin dëshmi të padyshimta mbi ngjarjet që e kanë stolisur dhe predikmiet e tij. Si do të mund të dikutohej mbi këshillat që dalin nga ata, kur janë dhënë garanci të tilla lidhur më origjinalitetin, si do të mund të dyshohej në vlerën e institucionit të Kishës duke zbatuar direktiva të përgjithshme që i ka dhënë vetë Jezusi? Botimet e tashme të Ungjijve, që i janë dedikuar popullarizimit, përmbajnë komentime qëllimi i të cilave është që të përhapin pikpamje të tilla në publik.
Cilësia e dëshmitarëve të redaktimit të Ungjijve iu paraqitet si aksiomë besimtarëve. Po a thua shën Justini, nga mesi i shekullit II, nuk i quajti Ungjijtë Memoare të Apostujve. Pastaj, flitet me aq saktësi për autorët, sa që pyesim se si do të mund të dyshohej në saktësinë e tyre; Mateu ishte person shumë i njohur, “nënpunës dogane në Kafarnaum”, dihet se e ka njohur gjuhën arameje dhe greke. Marku, gjithashtu, është indentifikuar në mënyrë të përsosur si bashkëpunëtor i Pjetrit; nuk ka asnjë dyshim se ka qenë edhe dëshmitar i ngjarjeve. Luka është “mjeku i dashur” për të cilin flet Pali: njoftimet për të janë mjaft të sakta. Gjoni është apostull gjithnjë i afërt me Jezusin, djalë i Zebedeut, peshkatar në liqenin e Genezaretit.
Studimet bashkëkohore mbi fillimet e krishterimit tregojnë se kjo mënyrë e paraqitjes së gjërave nuk i përgjigjet aspak realitetit. Do të shohim se ç’ ndodh me autorët e Ungjijve. E sa i përket dhjetëvjeçarëve pas misionit të Jezusit, duhet të dimë se ngjarjet aspak nuk janë zhvilluar ashtu siç është thënë dhe se me shkuarjen e Pjetrit në Romë nuk u vunë themelet e Kishës. Por, përkundrazi, që nga ai çast Jezusi e lëshoi këtë tokë, nga gjysma e dytë e shekullit II ose gjatë më shumë se një shekulli, është zhvilluar luftë e ashpër ndërmjet dy tendencave: ndërmjet asaj që mund të quhet krishtërim palian dhe hebreo-krishterimit: i pari e ka mundur gradualisht të dytin dhe krishterimi palian ngadhnjeu mbi atë hebreo-krishter.

Një numër shumë i madh punimesh të botuara në dhjetëvjetëshat e fundit, të bazuar në zbulimet e kohës sonë, bënë të mundur që të arrijmë deri te botëkuptimet bashkëkohore me të cilat lidhet emri i kardinal Danielit. Artikulli që e ka botuar në dhjetor të vitit 1967, në revistën “Etudes”: “Pikëpamje e re për periudhën e krishterimit dhe të hebreo-krishterimit“, duke huazuar punimet e mëhershme, ai trazon historinë dhe na mundëson ta vendosim paraqitjen e Ungjijve në një kontest shumë më të ndryshëm nga ai që e theksojnë raportet, që janë destinuar për masat e gjera. Këtu më poshtë do të japim një përmbledhje të pikave thelbësore të artikullit të tij, me citate të shumta:
Pas Jezusit, “një grup i vogël apostujsh” e formojnë një “sekt Hebre besnik ndaj rregullave dhe kultit të tempullit”. Përsëri, kur kësaj i shtohen edhe konvertitët e ardhur nga paganizmi, atyre u propozohet, nëse mund të thuhet, një regjim i posaçëm: Koncili i Jeruzalemit, viti 49, i liron nga synetia (rrethprerja)  dhe nga rregulllat Hebraike: “shumë hebreo-krishter e refuzojnë këtë koncesion”. Ky grup është krejtësisht i ndarë nga Pali. Aq, më tepër lidhur më paganët që iu bashkuan krishterimit, Pali dhe hebreo-krishterët kacafyten (incidenti vitit 49 në Antioki). “Për Palin, po edhe për hebrejtë syneti, sabati dhe kulti i tempullit që nga kjo kohë u bënë të parëndësishëm. Krishtërimit iu desh të lirohej nga përkatësia politiko-fetare hebraike në mënyrë që të hapej ndaj paganëve”.
Për hebreo-krishterët që mbetën “izraelit besnikë”, Pali ishte tradhëtar; dokumentet hebreo-krishtere e konsiderojnë si “armik”, duke e paditur për shkak “të dyftyrësisë taktike”, por “hebreo-krishterizmi deri në vitin 70 paraqet shumicën e Kishës”, kurse “Pali mbeti i izoluar”. Shef i bashkësisë atëherë ishte Jakovi, kushëriri i Jezusit. Me të (në fillim) është Pjetri dhe Gjoni. “Jakovin mund ta konsiderojmë shtyllë të hebreo-krishterimit që qëndroi vendosmërisht i angazhuar në hebraizëm përkundër krishtërimit palian”. Familja e Jezusit zë vend të madh në këtë kishë hebreo-krishtere të Jeruzalemit. “Trashëgimtari i Jakobit do të jetë Simoni, djali i Kleopasit, kushëri i Zotërisë”.
Kardinal Danieli këtu citon shkrimet judeo-krishtere që shprehin pikëpamjen për Jezusin e kësaj bashkësie, fillimisht të formuar prej apostujve: Ungjijtë e hebrejve (sipas një bashkësie judeo-krishtere në Egjipt), Hipotipozat e Klementit, Apokalipsi i Dytë i Jakovit, Ungjilli i Tomës24. “Pa dyshim, me hebreo-krishterimin duhen lidhur përmendoret më të lashta të literaturës së krishterë”, të cilën kardinal Danieli e përmend hollësisht.
“Gjatë shekullit të parë të kishës, hebreo-krishterimi nuk është dominues vetëm në Jeruzalem dhe në Palestinë. Duket se misioni judeo-krishterë është zhvilluar gjithkund para misionit të Palit. Mu kjo shpjegon se si letrat e Palit vazhdimisht aludojnë në përleshje”. Gjithandej do të hasen të njëjtët armiq, në Galile, në Korint, në Kolosos, në Romë, në Antioki.
Bregdeti siriano-palestinez, prej Gazës deri në Antioki, ishte judeo-krishter, “si e dëshmojnë Veprat e Apostujve dhe shkrimet e Klementit”. Lidhur me ekzistimin e judeo-krishterëve në Azinë e Vogël dëshmojnë letrat e Palit drejtuar Galatasve dhe Kolosianëve. Shkrimet e Papisë njoftojnë mbi hebreo-krishterimin në Frigji. Në Greqi, letra e parë e Palit drejtuar Korintasve mendon në judeo-krishterët, posaçërisht në Apollosin. Roma është një “qendër e rëndësishme”, sipas letrës së Klementit dhe Bariut të  Hermasit. Për Svetonin dhe Tacitin, të krishterët janë një sekt Hebre. Kardinal Danieli mendon se ungjëllizimi i parë i Afrikës ka qenë hebreo-krishterimi. Me të lidhen Ungjijtë e hebrejve dhe shkrimet e Klementit të Aleksandrisë.
Është me rëndësi tepër të madhe të dihen këto fakte në mënyrë që të kuptohet në ç’atmosferë lufte ndërmjet bashkësive janë shkruar Ungjijtë. Rregullimi i teksteve që i kemi sot, pas gjithë atyre përpunimeve, ka filluar të bëhet rreth vitit 70, në epokën kur dy bashkësitë rivale janë në luftë e sipër, kurse hebreo-krishterimi dominonte akoma. Por, me luftën hebreite të vitit 70 dhe rënien e Jeruzalemit, gjendja do të rrokulliset. Ja si e shpjegon kardinal Danieli fundin:
“Pasi hebrejtë u diskredituan në Mbretëri, të krishterët përpiqen që të shkëputen nga ata. Të krishterët helenistë do të marrin iniciativën: Pali do të korrë fitore postmorte; krishterimi sociologjikisht dhe politikisht do të ndahet nga judaizmi; ai do të bëhet populli i tretë. Por, deri në kohën e revoltës së fundit hebreite, në vitin 140, hebreo-krishterimi do të ketë dominim kulturor”.
Prej vitit 70, në periudhën që datohet para vitit 110, do të krijohen Ungjijtë: i Markut, i Mateut,i Lukës dhe i Gjonit25. Ata nuk janë dokumentet e para krishtere të shkruara: letrat e Palit janë shumë më të vjetra se ata. Sipas O. Culmanit, Pali në vitin 50 e ka redigjuar letrën e vet drejtuar Selanikasve. Por ajo, pa dyshim, ka humbur disa vjet para se të përfundohej Ungjilli i Markut.
Figura më e diskutueshme e krishterimit, të cilën familja e Jezusit dhe apostujt që qëndruan në Jeruzalem bashkë me Jakobin e konsideronin tradhëtar të mendimeve të Jezusit- Pali, e ndërtoi krishterimin në dëm të atyre që Jezusi i mblodhi rreth vetes për ta përhapur mësimin e tij. Pasi nuk e kishte njohur Jezusin e gjallë, ai arsyetoi legjitimitetin e mendimit të tij, duke pohuar se Jezusi i është paraqitur në rrugë për në Damask. Është e lejueshme të bëhet pyetja çfarë do të ishte krishterimi pa Palin dhe mbi këtë temë do të mund të ndërtoheshin shumë hipoteza. Por, sa i përket Ungjijve, sikur mos të egzistonte lufta ndërmjet bashkësive që u bë me përçarjen e Palit, do të mund të vinim bast se sot nuk do t’i kishim shkrimet që i kemi. Duke u paraqitur në periudhën e luftës intenzive ndërmjet dy bashkësive, këto “shkrime luftarake”, siç i cilëson R.P. Kannengiesser, dolën nga shumësia e shkrimeve të publikuara mbi Jezusin, kur krishterimi i stilit palian ngadhënjeu përfundimisht dhe e përpiloi përmbledhjen e vet të teksteve zyrtare, “Kanonin”, i cili i përjashtoi dhe i gjykoi si të kundërta me besimin e vërtetë të gjitha dokumentat e tjera që nuk ishin në përputhje me linjën që e kishte zgjedhur Kisha.
Edhe pse judeo-krishterët nuk ishin bashkësi me ndikim , për ta dëgjohet akoma dhe flitet nën shprehjen e përgjithshme “të hebraizmit”. Kardinal Danieli kështu e evokon fundin e tyre:
“Të ndarë nga Kisha e Madhe, e cila gradualisht lirohet prej prangave hebraike, ata shpejt do të shkatërrohen në Perëndim, por gjurmët e tyre do të mund të ndiqen prej shekullit III deri në shekullin IV në Lindje, sidomos në Palestinë, Arabi, Transjordani, Siri, Mesapotami. Disa do t’i absorbojë Islami, që pjesërisht është trashëgimtarë; disa do të lidhen me ortodoksët, duke e ruajtur përsëri bazën e kulturës semite, dhe diçka nga ata vazhdon të jetojë në Kishat e Etiopisë dhe të Kaldejes”.