Shën PALI – Arkitekti i Krishterizmit (Pjesa e dytë)

Shën PALI – Arkitekti i Krishterizmit (Pjesa e dytë)

Şinasi Gündüz
Përktheu: Arben Tahiri

(Shkëputur nga libri i cili përkthyesi është duke e përkthyer në tërësi: “PAVLUS: Hristiyanligin Mimari” – Prof. Dr. Sinasi Gunduz, shtepia botuese Ankara olkulu yayinlari, Ankara 2001)

3. Burimet e dorës parë rreth shën Palit

Të dhënat rreth jetës dhe mësimeve të Palit rrjedhin nga literatura Krishtere në lidhje me këtë temë. Bazuar në këtë, jashtë literaturës Krishtere nuk hasim në burime të dorës së parë mbi Palin.[1] BR është padyshim burimi kryesor i të dhënave mbi Palin. Letrat që gjinden në BR dhe që i mëveshen Palit edhe libri “Veprat e Apostujve” përmbajnë të dhëna të rëndësishme mbi jetën dhe veprën e Palit. Vap 7:58, 8:1-3, 9:1-30, 11:25-30, 12:25 dhe 13:1-28:31 për temë kanë Palin. Posaçërisht pjesa e Vap (13:1) deri në fund të tekstit, fillon me spjegimin e periudhës me Palin si misjoner në Antioki dhe pastaj vazhdon të rradhitë veprimtarinë e tij misjonere më tutje.

Autori i Vap që është burimi kryesor mbi Palin në të njëjtën kohë është edhe autori i Ungjillit të tretë me radhë – autori i Ungjillit sipas Lukës, pra Luka vetë.[2]

Kjo dukuri diktohet lehtë nga fjalët që kalojnë në fillim të Vap (1:1-2). Pos kësaj, analiza gjuhësore dhe stilistike që është bërë në Ungjillin e tretë (Ungjilli sipas Lukës) dhe Vap zgjon mendimin se këto të dyja kanë përbërje të njëjtë.[3] Luka është shoku i Palit, nxënësi i tij si dhe mjeku i tij.[4] Në ujdi me këtë Pali duke iu drejtuar Lukës, në Letrat Kolosianëve (Kol. 4:14) shprehet: “i dashuri mjeku im, Lukë”. Nw “Anti-Marcionite Prologue” i përpiluar në sh.II-të ER, përafërsisht rreth v. 170, Luka definohet në këtë mënyrë:

Luka ishte një mjek nga Antiokia e Sirisë. Ka qenë nxënës i Apostujve dhe pastaj deri në vdekje iu është bashkuar Palit. I ka shërbyer Zotit pa prituar; as ka patur bashkëshorte e as fëmijë dhe kur u bë tetëdhjëtë e katër vjeç plotësisht i mbushur me Shpirtin Shenjt vdiq në Boetia. Përveç Ungjijve të mëparshëm që janë present … ka përpiluar këtë Ungjill në tërësi. … Dhe pastaj i njëjti Luka ka shkruar Veprat e Apostujve.[5]

Luka, miku dhe nxënësi i Palit është futur në fé[6] nga ana e Palit në Troas (në gadishullin e Çanakkale – Turqi) dhe pas një kohe të caktuar iu është bashkëngjitur Palit në udhëtimet e tija. Këtë e kuptojmë ngase Luka përmend shoqërinë e tij dhe Palin prej një periudhe të caktuar në pjesën e Vap ku spjegohet për udhëtimet e Palit. Prej Vap (16:10) e më tutje, Luka vetveten e vë në radhën e atyre që iu shoqëruan Palit.

Studijuesit në përgjithësi tërheqin vërejtjen se koha e përpilimit të Vap, autori i të cilit është Luka është diku afër fundit të sh.I-rë ER. P.sh. studijues si M. Krenkel, në bazë të studimit se të dhëna të ndryshme historike që jepen në Vap janë të njëjta me të dhënat e librit Antiquities të Jozefit dhe duke u nisur nga paralelizmat nga aspekti gjuhësor që hasen në të dy këto vepra, pohojnë se Luka e ka parë këtë vepër të Jozefit. Duke u nisur nga kjo, ata mbrojnë tezën që Vap nuk mund t’i takojë periudhës së para v. 93 ER sepse ky vit përputhet me kohën e përpilimit të veprës Antiquities. Megjithatë, disa sudijues tjerë kritikojnë këtë mendim duke u bazuar në të dhëna të ndryshme që kalojnë në Vap dhe janë të qëndrimit se kjo vepër është shkruar kah fundi i jetës së Palit, mundësisht rreth v. 62 ER.[7] Sipas shkrimtarëve të periudhës së hershme siç janë Eusebius dhe Jerome poashtu edhe sipas shumicës së studijuesve të kohërave tona pranohet mendimi se Vap është përpiluar në Romë nga ana e Lukës së bashku me Palin.[8]

Një pjesë tjetër e BR edhe më e rëndësishme se Vap në lidhje me Palin është kapitulli “Letrat” që i mëveshet Palit. Barett mbron tezën se edhe po të mos ekzistonte fare kapitulli i Vap, vetëm nga Letrat mund të nxirren të dhëna të mjaftueshme për jetën Palit dhe misionet e tija.[9]

Krishterët zakonisht 13 prej gjithsejt 21 Letrave që gjinden në BR ia mëveshin Palit. Këtyre 13 Letrave duhet shtuar edhe Letrën drejtuar Hebrenjve sepse zakonisht edhe ajo i është mëveshur Palit shekuj me radhë. Megjithkëtë, studijuesit e BR sadoqë kanë mendime të ndryshme rreth asaj se cilat Letra i takojnë Palit, janë të mendimit unanim se vetëm një pjesë e Letrave i takojnë atij. P.sh. ende në sh.II-të Marcion ka pranuar se prej Letrave vetëm dhjetë sish i takojnë Palit, kurse për Letra e Parë dhe e Dytë Timoteut dhe Letra drejtuar Titit që njihen me emrin “Letrat baritore”, ka thënë se nuk i takojnë Palit.[10] Në mënyrë të njëjtë, Cerdo, mësuesi i Marcion-it nuk i ka pranuar të gjitha Letrat e Palit.[11] Ndërsa studijesit e sotshëm pohojnë se prej letrave vetëm shtatë janë tekste autentike të Palit, kurse të tjerat janë përpiluar më vonë në emër të tij nga ana e nxënësve të tij. Këto shtatë letra janë: Letra drejtuar Romakëve, Letra e Parë drejtuar Korintianëve, Letra e Dytë drejtuar Korintianëve, Gallatasve, Filipianëve, Letra e Parë drejtuar Selanikasve dhe Letra drejtuar Filemonit.[12] Nga ana tjetër përfaqësuesit e shkollës së Tübingenit siç janë: F.C. Baur, A. Schëegler dhe E. Zeller duke u nisur nga analizat e bëra në bazë të botkuptimit tezë-antitezë-sintezë që bazohet në mënyrën Hegeliane dialektike të komentimit të historisë, pranojnë autenticitetin e vetëm këtyre 4 letrave: Gallatasve, Romakëve, Letra e Parë dhe e Dytë Korintianëve.[13] Ndërsa, A. Schweitzer, përveç Letrave drejtuar Selanikasve, Titit dhe Timoteut; të gjitha letrat tjera i pranon t’i kenë takuar Palit. Megjithëkëtë Schweitzer në lidhje me përkatësinë e Letrave Palit, tërheq vrejtjen se është shumë vështirë të vihet në pah autenticiteti i Letrave drejtuar Efesianëve dhe Kolosianëve në krahasim me tjerat.[14]

Nga një anë tjetër qysh nga periudhat e hershme spjegohet se Letra drejtuar Hebrenjëve që zakonisht i mëveshet Palit nuk i takon atij sepse ajo ndryshon shumë nga letrat tjera që i mëvishen atij nga aspekti gjuhësor dhe stilistik. Derisa Tertulliani, njëri prej etërve Kishtar, pohon se kjo Letër i takon Barnaba-it, disa tjerë thonë se ajo është përpiluar nga sh.Clement-i që ishte Rromak.[15] Ndërsa disa studijues tjerë theksojnë se Letra drejtuar Hebrenjve është përpiluar nga Apollos-i i cili ka ushtruar misionin në Efes para periudhës së Palit dhe më vonë është vendosur në Korinth.[16]

A i ka shkruar Pali vetë këto Letra?

Në Letra drejtuar Romakëve (Rom. 16:22) ceket se letrat i ka shkruar Terci (Tertius).* Prandaj sipas kësaj është e logjikshme të mendohet se Pali ia ka diktuar (lat. dictatio) dikujt Letrat dhe se këta njerëz kanë ushtruar pozitën e sekretarit të tij. Përkundër kësaj në disa letra në fund kalon ky rresht: “Të fala (Përshëndetje) me dorën time – (të) Pali(t)” (1 Kor. 16:22; Kol. 4:18; 2 Sel. 3:17). Me këtë theksohet se përshëndetjet që kalojnë në fundin e tekstit të disa Letrave, së paku janë shkruar nga ana e Palit. Letrat që i mvishen Palit dhe që janë në BR sipas besimit të zakonshëm janë shkruar në kohën kur ai ishte duke ushtruar misionet e tij dhe gjatë kohës së burgimit. Letrat e Palit që mendohet se janë tekste nga më të hershmet prej teksteve të BR, sikuar kronologjikisht i biejnë ndesh periudhës ndërmjet krucifikimit dhe përmbledhjes së Ungjijve.[17] Diskutime të ndryshme po bëhen rreth çështjes se cilat nga këto letra janë shkruar më parë. Disa studijues sikur A.C. Deane dhe M. Grant pohojnë se nga Letrat që i takojnë periudhave më të hershme janë Letra drejtuar Selanikasve dhe se janë shkruar afër vitit 50. ER. Deane thotë se kjo Letër është një nga dokumentet më të lashta të historisë Krishtere.[18] Ndërsa disa studies tjerë si F.F. Bruce pohojnë se, shikuar historikisht Letra më e lashtë ëhstë ajo drejtuar Gallatasve dhe mendojnë se është shkruar diku afro fundit të misionit të parë të Palit, përafërsisht në v. 48/49 ER.[19] Prej Letrave tjera, Letra e Parë Korintianëve është shkruar në v. 54, ajo Filipianëve në v. 54 ose 55, Letra e Dytë Korintianëve në v. 56 dhe Romakëve në v. 57. Ndërsa Letrat tjera janë shkruar gjtaë kohës së burgimit të Palit që ka zgjatur prej pas Majit të 57-ës e deri në vdekjen e tij (v. 67. ER).[20]

Sado që nga një shumicë dërmuese së paku është pranuar se këto letra i takojnë Palit, duke u bazuar në fakte historike; edhe nëse i kishin takuar epokës së tij, në bazë të asaj se me ç’disponojmë ne tani; është e vështirë të thuhet diçka precize mbi ate se në ç’kohë dhe nga ana e kujt janë përmbledhur këto letra. Në përgjithësi konsiderohet se letrat që i takojnë Palit janë përmbledhur kah fundi i shekullit I-rë ER ose mundësisht rreth viteve të 90-ta ER nga ana e nxënësve ose ithtarëve të tij.[21] Duke marrë parasysh këtë, nga aspekti historik i burimeve që kemi pranë, këto letra më së hershmi i takojnë sh. II-të ER. P.sh. Letra Romakëve, Gallatasve dhe Korintianëve I dhe II shënohen se i përkasin fundit të sh. II-të ER.[22]

Këto 13 letra që i mvishen Palit është e mundur të klasifikohen në mënyra të ndryshme. P.sh. nga një anë, letrat mund të klasifikohen sipas asaj se a ishte apo s’ishte Pali në liri kur i shkruante ato. Sipas kësaj letrat siç janë: Kolosianëve, Efesianëve, Filipianëve dhe Letra drejtuar Filemonit emërtohen si “Letrat e burgimit”. Sepse në kohën kur ishin në shkrim këto letra, Pali ishte i burgosur në Rromë dhe prej burgut shkruante dhe ndjekësve të tij ia përcillte përmes nxënësve të tij. Nga një anë tjetër, letrat mund të klasifikohen edhe sipas përmbajtjes së tyre. Duke u bazuar në këtë, tekstet siç është Letra Gallatasve ka karakter polemike, sepse Pali në këto letra parashtron një polemikë voluminoze me tematikë ligji dhe të ngjajshme; kundra mësimeve tjera nga ato të tijat që mbronin persona dhe shkolla tjera aty ku ai ushtronte aktivitetet e misionit të tij. Sipas kësaj, Pali sulmon kundërshtarët e tij në Letrat Gallatasve, kurse në ato Romakëve është në gjendje të mbrojtësit (të mësimeve të tija)*. Si shembull të fundit mund të marrim këtë: Letra Titit, Filemonit dhe Timoteut emërtohen si “Letra Priftërore”. Këto letra përmbajnë rregulla dhe këshilla nga Pali drejtuar nxënësve të tij për të udhëhequr ndjekësit e tij në vende të ndryshme.

Në Letrat e Palit të B.R., Letrat Gallatasve dhe Romakëve si edhe Korintianëve I dhe II paraqesin një rëndësi të veçantë tërheqëse. Sipas disave, Letrat Gallatasve që pranohen të jenë ndër të parat që u përpiluan nga Pali, duke qenë se janë shkruar në një periudhë kur aktivitetet e Palit ishin në kulminacion janë dokumente që përmbajnë debata dijalektike. Në këtë Letër mund të gjejmë mësime të ndryshme mbi Palin dhe kundërshtarët e tij, posaçërisht ithtarët e Jakobit, poashtu mund të përcjellim akuzat që ju bënë personalisht Palit dhe mund të dëshmojmë në sulmimet e rrepta të Palit kundra konkurencës së tij. Ndërsa Letra Romakëve, sipas thënies së Mansonit është: “njëra ndër shkrimet më dogmatike të Palit.”[23] Në këtë Letër përveç principeve themelore, është e mundur të shihen shumë qartë botkuptimet e Palit tani banor i Romës mbi rregullimin shoqëror, shtetëror dhe mardhëniet me këto autoritete. Për këtë arsye disa shkrimtarë pohojnë se ky tekst është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme të historisë së përendimit.[24] Së fundi, Pali në letrat Korintianëve, i jep përgjigjje dyshimeve dhe akuzave drejtuar vetes së tij, me fjalë tjera spjegon vetveten.

Jashta këtyre letrave, ka edhe letra tjera që i takojnë Palit, por pohohet se shumica e tyre ende nuk ka mundur të arrijë ditët e sotme. P.sh. sipas Fitzmyerit, Pali ka shkruar së paku pesë letra Korintianëve, por prej tyre vetëm dy sosh kanë mundur të arrijnë ditët tona.[25] Përsëri, fratëri Jerome pohon se disa njerëz tregojnë se Pali kishte shkruar një letër që i flet Ladioceanëve, por tërheq vërejtjen se kjo është diskutabile.[26] Nga ana tjetër, Marcion letrat Efesianëve i emërton “Letrat Laodiceanëve”.[27]

Prej librave tjera të BR që po studijojmë këtu, është e rëndësishme të cekim edhe disa shkrime apokrife lidhur me Palin që bëjnë pjesë ndër burimet e dorës së parë që kanë të bëjnë me te. Veprat e Shën Palit (Acts of Paul)[28] që i takon shkrimeve të periudhës ndërmjet sh. II-të dhe IV-ërt ER është një vepër që është përpiluar nga një ithtar i Palit në gjysmën e dytë të sh. II-të ER afërsisht nga viti 160 ER. Tertulliani shpreh mendimin se kjo vepër është përpiluar pak para kohës së tij nga ana e një Aziatiku (Anadollian). Veprat e Shën Palit, që përveç kopjes në gjuhën Greke që gjindet në duart tona, ka edhe kopjen pjesërisht në latinishte dhe koptishte, spjegon veprimtarinë e Palit me një gjuhë të stilit të romansës, i jep rëndësi disa teksteve nga përmbajtja e saj. Një prej këtyre teksteve është edhe ai që njihet me titullin “Veprat e Shën Palit the Thecla-s” (Acts of Paul and Thecla). Në këtë tekst ka tregime mbi mardhëniet ndërmjet Palit dhe virgjëreshës së shenjtë Thecla; potencohet rëndësia që Pali i jep jetesës askete. Tekst i dytë që është me rëndësi në veprën Veprat e Shën Palit është ai që tregon mbi kohën e fundit të jetës së Palit dhe “Martirizimi i Shën Palit” (Martyrdom of Paul) që përmblidhet në debatet e tija kundra Perandorit Rromak Neronit dhe njerëzve të tij dhe si përfundim në ekzekutimin e tij me vdekje. Më në fund, mund të shohim se Letra e Tretë Korintianëve (Third Epistle of Paul to the Corinthians) që besohet se është shkruar nga Pali, është në veprën Veprat e Shën Palit. Kjo vepër ka rëndësi të veçantë në pasqyrimin e botkuptimit të bashkësisë Krishtere mbi Palin.

Një shkresë tjetër apokrife me rëndësi mban titullin Veprat e Apostujve të Shenjtë Sh.Pjetri dhe Sh.Pali (Acts of the Holy Apostles Peter and Paul).[29] Kjo vepër shtjellon veprimtarinë e Palit dhe sh.Pjetrit në Rromë dhe posaçërisht debatet e tyre me Simon Magus, me një gjhuë të stilit të romansës. Në fund të veprës tregohet mbi ekzekutimin e Palit dhe sh.Pjetrit me vdekje në Rromë.

Një shkresë tjetër e periudhave të hershme në lidhje me Palin mban titullin Vizioni i Palit ose Revelata [Shpallja – Zbulesa] * e Palit (Revelation of Paul si dhe Vision of Paul). Kopjet e ndryshme në gjuhën Greke, Latine dhe Asiriane të kësaj vepre kanë arritur ditët tona. Ndërmjet këtyre veprave kohë pas kohe bien në sy ca ndryshime që na e tërheqin vërejtjen. [30] Ky tekst Apokaliptik që është përpiluar afërsisht kah fundi sh. IV-ërt ER, mundësisht rreth vitit 388 ER, duke u bazuar në thëniet e letrës së Dytë Korintianëve 12:1-5, shtjellon temën e ngritjes së Palit në Qiellin e Tretë dhe gjërat që ai ka parë ose i janë treguar atij aty. Përjetimet e Palit që janë temë e kësaj vepre mund të vlerësohen si një përshkrim i ngritjes qiellore. Në këtë udhëtim qiellor Pali sheh: botërat e amshueshme, parajsën, pemën e jetës, engjujt, krye-engjullin Gabriel (isl. “Xhibrîl” ose “Xhebraîl)*, skenat e dënimit dhe shpërblimit, profetët: Noah (isl. Nûh), Abraham (isl. Ibrâhîm), Izaak (isl. Is-hâk), Jozef (isl. Jûsuf), Mozes (isl. Mûsâ), Ishaiah (isl. Eljesâ), Ezekiel (isl. Dhul-kifl), Jeremiah (isl. Uzeir), Elias (isl. Iljâs) dhe Henok (isl. ???), bile edhe të ashtuquajturin “Birin e Zotit” Jezus Mesinë (isl. Mesîhu Îsâ) dhe Shën Marinë (Virgjëresha dhe Nëna Shenjtë) [isl. Merjemu-l-Mukaddeseh]. Të treguarit e këtyre ndodhive vetë me gojën e Palit ta tërheq vërejtjen (zgjon dyshim).*

Prej burimeve Apokrife të dorës së parë rreth Palit, përfundimisht mund të numërojmë shkresat që gjinden në veprën Literatura e Nag Hammadit, dhe Apokalipsa e Palit (The Apocalypse of Paul) që përsëri shtjellon temën e udhëtimit të amshueshëm të Palit sikur tek tekstet që përmendëm më lart.[31] Ky tekst është i pari prej katër teksteve Apokaliptike që gjindet në Literaturën e Nag Hammadit në pjesën e 5-të në faqet 17-24. Apokalipsa e Palit që është një kapitull i Literaturës së Nag Hammadit prej 13 pjesësh të përbërë prej 52 kapitujve (librave) të armuar në dhé rreth vitit 400 ER, mendohet që është përmbledhur rreth sh. II-të ER. Në këtë tekst shtjellohet tema e marrjes së Palit nga ana e një engjulli prej malit Jericho në afërsi të Jerusalemit dhe prej aty ngritja e tij në qiej dhe udhëtimi i tij me rresht deri tek Qielli i Dhjetë i botës së amshueshme dhe ndodhirat që atij i janë treguar aty.[32]

——————————————————————————–

[1] Megjithëkëtë Rudolph Bultmann shpreh mendimin se krahas literaturës Krishtere, disa tekste Hebreje poashtu mund të kenë lidhje me sh.Palin. Shk. Bultmann, R., “Paul”, (përmblodhi dhe përktheu në anglisht) S.M., Ogden, Existence and Faith: Shorter Writings of Rudolph Bultmann, London: Collins 1973, fq. 130.

[2] Përkundër faktit se Luka është autori i Vap sipas shumicës, studijues të ndryshëm shprehin mendimin se ka ca dyshime rreth kësaj mundësie. Shk. Bowden, Jesus: The Unanswered Questions, fq. 41. Në të njëjtën mënyrë diskutohet edhe rreth asaj se a është Luka autori i tekstit që është i njohur me emrin Ungjilli i Lukës apo jo. Këto diskutime kanë zgjatur edhe prej periudhave të hershme. P.sh. Marcion që jetonte në sh. 2-të kundërshonte ashpër që Ungjilli i Mesiait që predikonte sh.Pali – që ai e pranonte për të vetmen kopje të Ungjillit – të emërtohet me emin e Lukës. Shk. Tertullian, Adversus Marcionem, IV.1, II.

[3] Shk. Bruce, The Acts of the Apostles, fq. 2. Në tekste të ndryshme që i takojnë periudhave të hershme emri i Lukës kalon edhe si Lucanus. Bruce pohon se emri Luka (Lucas) është shkurtesë e emrave Lucanus dhe Lucius. Shk. poaty, fq. 6.

[4] Schofield pohon se Luka i është bashkangjitur grupit (xhemaatit) të sh.Palit pasiqë i pru besim mësimeve të tija gjatë një misioni në Troas. Schofield, J.N., The Historical Background of the Bible, London: Thomas Nelson and Sons Ltd. 1938, fq. 295.

[5] Bruce, The Acts of the Apostles, cituar nga faqet 6-7.

[6] Schofield, The Historical Background of the Bible, fq. 295

[7] Bruce, The Acts of the Apostles, fq. 10-11, 14, 24 etj.

[8] Shk. Eusebius, Church History, II, XXII, http://newadvent.org/father/250102.htm (12.12.1999); Bruce, The Acts of the Apostles, fq. 11.

[9] Shk. Barett, C.K., From First Adam to Last: A Study in Pauline Theology, London: Adam & Charles Black 1962, fq. 2.

[10] Bollough, S.O.B., Saint Paul and Apostolic Writings, London 1950, fq. 194. Në anën tjetër, Marcion edhepse i ka pranuar 10 Letra t’i takojnë sh.Palit, përsëri këto i ka kulluar mirë në kritikë. Räisanen, H., Marcion, Muhammad and the Mahatma, London: SCM Press 1997, fq. 72-73.

[11] Tertullian, Against All Heresies, VI, http://www.ccel.org/fathers2/ANF-03/anf03-46.htm#P11123_3158868 (The Christian Classic Ethereal Library at Calvin College. Last updated on March 23, 2000)

[12] Lüdemann, Heretics: The Other Side of Early Christianity, fq. 61; Reumann, Variety and Unity in New Testament Thought, fq. 72.

[13] Bruce, The Acts of the Apostles, fq. 34.

[14] Shk. Seaver, G., Albert Schweitzer: The Man and His Mind, London: Adam & Charles Black 1969, fq. 232.

[15] Shk. Jerome, Lives of Illustrious Men, V, http://www.ccel.org/fathers2/NPNF2-03/Npnf2-03-27.htm#P7098_1824928, (27.05.1999)

[16] Shk. Davis dhe Gehman, The Westminster Dictionary of the Bible, fq. 35.

* Vën re komentin që ipet rreth këtij rreshti në fusnotë! BIBLA, fq. 1607; (shnm. prk. A.T)

[17] Bowden, Jesus: The Unanswered Questions, fq. 47.

[18] Deane, A.C., St. Paul and His Letters, London: Hodder and Stoughton 1942, fq. 71, 89; Grant, M., Saint Paul, London: Wiedenfeld and Nicholson 1976, fq. 4.

[19] Bruce, The Acts of Apostles, fq. 55. M. Grant mbron mendimin se Letra Gallatasve ka mundësi se është shkruar menjëherë pas Letrës Dytë drejtuar Korintianëve. Grant, Saint Paul, fq. 4.

[20] Ekzistojnë edhe mendime tjera rreth çështjes se në ç’datë i ka shkruar Pali letrat e tija. P.sh. sipas Fitzmeyer-it Letra Gallatasve është shkruar përafërsisht në v. 54 kurse Letra Romakëve në v. 58. Shk. Fitzmeyer, “Paul”, R.E., Brown, J.A. Fitzmeter, R.E. Murphy (ed.), The New Jerome BiblicalCommentary, Student Edition, Cassel 1998, fq. 1336.

[21] Sanders, E.P., Paul, Oxford University Press, 1991, fq. 17. Kurse O. Chadwik pohon se kjo ka ndodhur rreth vitit 100 ER. Chadwik, O., A History of Christianity, London: Weidenfeld & Nicolson, 1995, fq. 286

[22] Shk. Seaver, Albert Schweitzer: The Man and His Mind, fq. 232

*Teksti ndër kllapa: shënim prk. A.T.

[23] Manson, T.W., On Paul and John, London: SCM Press 1963, fq. 11

[24] Shk. Sanders, Paul, fq. 2

[25] Fitzmyer, “Paul”, fq. 1336. Prej letrave Korintianëve një tekst Apokrif (Letra e Tretë Korintianëve) me titullin Veprat e Shën Palit ka arritur ditët e sotme ndër shkrimet apokrife.

[26] Jerome, Lives of Illustrious Men, V. (num. rom)

[27] Tertullian, Against All Heresies, VI.

[28] Acts of Paul, (The Apocryphal New Testament, prkth. M. R. James, Oxford: Claredon Press 1924) http://www.gnosis.org/library/actpaul.htm (17.12.1999)

[29] Acts of the Holy Apostles Peter and Paul, http://www.ccel.org/fathers2/ANF-08/anf08-87.htm#P7429-2259968, (27.10.1999)

*Teksti ndër kllapa: shënim prk. A.T.

[30] Shk. The Vision of Paul, , http://www.ccel.org/fathers2/ANF-10/anf10-13.htm (27.10.1999); Revelation of Paul, http://www.ccel.org/fathers2/ANF-08/anf08-107.htm#P8492_2739033 (27.10.1999).

*Teksti ndër kllapa: Termi fetar islamik për engjullin e lartpërmendur. Në terminologjinë islame ky është një nga engjujt (Melaiket) të ashtuquajtur “Ul’ul-Adhmi” që d.t.th “Engjujt e Madhërisë” ose “Engjujt e Mëdhenj” – “Krye-Engjujt”, (eng. Archangel). shënim prk. A.T.

*Teksti ndër kllapa: shënim prk. A.T.

[31] “The Apocalypse of Paul”, D.M. Parrot (ed.), W.G. MacRae, W.R. Murdock (prkth.), The Nag Hammadi Library in English, J.M. Robinson (ed.) Leiden: E.J. Brill 1988, fq. 256-259

[32] Për përkthimin e këtij teksti në gjuhën Turke shih Gündüz, Ş., E. Sarıkçıoğlu, Y. Ünal, Dinlerde Yükseliş Motifleri ve İslamda Miraç – [Motivet e Ngritjes në Religjione dhe Miraxhi në Islam] prk. A.T.