Trajtimi Biblik dhe Kuranorë në lidhje me konsiderimin e Marisë si “Nëna e zotit”

Trajtimi Biblik dhe Kuranorë në lidhje me konsiderimin e Marisë si “Nëna e zotit”

Senad Maku

Si Kurani ashtu edhe Bibla kur lexojmë për historinë e Merjemes/ Marisë nënës së Isaut a.s./Jezuasit, na tregojnë se ajo ishte e bekuar dhe se Zoti e dalloi me besim dhe karakter, gjithashtu e lartësoi mbi të gjitha gratë e botës.
Këtë e vërtetojnë si Bibla ashtu edhe Kurani Famëlartë. Bibla fillimisht tregon kontaktin dhe dialogun në mes Engjëllit dhe Marisë ku thotë se: “Engëlli hyri te ajo dhe tha: ”Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë”. (Luka 1:28)
Gjithashtu edhe Kurani Famëlartë e tregon këtë dialog ku thotë: Përkujto kur engjujt i thanë: ”Oj Mejreme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. (Ali Imran 42)
Në vazhdim këto dy libra na e pëshkruajnë edhe më tutje takimin-bisedën e Engjëllit me Merjemen/ Marinë, ku thuhet se:
“Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jezus”. (Luka 1:29-31)
Ndërsa Kurani Famëlartë e tregon në këtë mënyrë: “Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Mejreme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në Dunja e Ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit)”. (Ali Imran 45)
Përgjigja e Merjemes/ Marisë ndaj Engjëllit ishte:
“Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet…”. (Luka 1:34-35)
Kurani thotë: Ajo tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar) “? Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu, Allahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”. (Ali Imran 47)
Gjatë lindjes së Jezusit/ Isaut a.s., që ishte një mrekulli në vehte sa ishte foshnje dhe që Bibla nuk e cek, dhe me qëllim është e larguar kjo mrekulli nga Libri i të Krishterëve Bibla, është rasti ku Jezusi/ Isau a.s. foli kur ishte foshnje në djep. Kur populli e akuzonin nënën e tij Merjemen/ Marinë për tradhëti pasiqë e panë me foshnje, sepse ajo nuk ishte e martuar. Duke i thënë: Si mund të kesh lindur fëmijë pa qenë e martuar? Kur dihet se prej çfar familjeje të ndershme je, si ke mundur ta bësh një krim të tillë? Këto akuza dhe pyetje i bëheshin Merjemes sikur të ishte autore e krimit. Merjemja (Maria) nuk u përgjigjte, heshte dhe bënte me shenjë kah foshnja e porsalindur që të flisnin me të, i cili do t’u përgjigjej pyetjeve dhe akuzave që i bënin asaj. Zoti i Plotfuqishëm bëri mrekulli që Isau a.s. të flasë qysh foshnje i vogël dhe ti demantoj shpifjet dhe akuzimet ndaj nënës së vet. Këtë ngjarje e tregon Kurani Famëlartë, ku thotë:
“Dhe duke e bartur ngryk shkoj me të te të afërmit e vet ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!” Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme! Atëherë ajo u dha shenjë kah (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që ëshë foshnjë në djep?” Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jemë gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! Selami (shpëtim prej Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!” Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime. (Merjem 27-33)(1)
Gjithashtu Allahu xh.sh. në Kuranin Famëlartë në lidhje me Isaun a.s. dhe Nënen e tij Merjemen thotë: “Mesihu, bir i Merjemes, nuk është tjetër, vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja, si u sqarohen atyre argumentet dhe shih pastaj sesi i kthejnë shpinën të vërtetës!”. (Maide 75)
Ajetet na shtjellojnë dhe na tregojnë se Merjemja/ Maria ishte dhe do të jetë një grua e dalluar dhe e lartësuar mbi gratë e botës. Ajo ishte e drejtë dhe e ndershme, duke hedhur poshtë shpifjet që i bëhen nga Jehuditë duke e konsideruar atë të pamoralshme edhe sot e kësaj dite, ndërsa për të krishterët ju tregon se, mos e ngritni në shkallën e hyjnisë, sepse si ajo po ashtu dhe Isai, fëmiu i saj, ishin që ushqeheshin si njerëzit e tjerë. Allahu xh.sh. ju sqaron argumentet e tyre, por ata pastaj ia kthejnë shpinën të vërtetës.
Një ndër çështjet më kontradiktore dhe të theksuara në historinë njerëzore është çështja e Merjemes/Marisë dhe birit të saj. A ishte (A është) ajo nënë e njeriut apo e zotit?! Ajo, a e lindi zotin, apo njeriun? Nëse ajo ka lindur zotin, qenia e saj çfarë duhet të jetë? Me këtë këndvështrim ajo duhet të jetë hyjneshë? Dhe sërish kthyerje në paganizmin(2) e lashtë grek, nëpër hyjni dhe hyjnesha të shpikura nga imagjinata njerëzore, e jo në të kundërtën për të cilën kishte ardhur h. Isau a.s./ Jezusi, që vetëm një Zot të vërtetë të adhuronin njerëzit siç vepronte nëna e tij Merjemja/ Maria dhe ai a.s.

Në disa nga sektet të Krishtera (Katolikët-Protestantët-Ortodoksët), sa i përket nënës së Jezusit, Marisë së Virgjër e cila e ka lindur Jezusin, konsiderohet, apo quhet Nëna e Zotit.(3)
Kisha ortodokse autoqefale shqiptare, sikur edhe kishat tjera ortodokse, Marinë e njeh si lindëse e Zotit (theotocos(4)). Në historinë e krishterimit, që prej shek. V diskutohet çështja se Maria ka lindur Jezu Krishtin Zot apo Jezu Krishtin njeri. Shën Cyrilli(5) nga Aleksandrija thotë: “Nëse Jezu Krishti është Zot, atëherë edhe virgjëresha e shenjtë (Maria) që e ka lindur atë është theotocos-nëna e Zotit. Prandaj, mendimi i pranuar nga ortodoksët është se Maria ka lindur Zot dhe kështu është nëna e Zotit”.(6)
Nëna e Jezusit e posedon një pozitë të lartë në Krishterim. Sepse si rrjedhojë logjike vjen se nëse Jezusi është me të vërtetë është Zotë, atëherë nëna e tij duhet të titullohet “Nëna e Zotit”.(7) Por, asnjë i krishterë nuk pretendon se Maria është gruaja e Zotit. Në vitet në vazhdim është kultivuar një sërë mënyra të respektimit deri në adhurim dhe lutje drejtuar saj, edhe pse në realitet ajo nuk ishte përpos nënë biologjike e Jezusit. Ajo konsiderohet “si ‘arka e Besëlidhjes’ ku Hyji banon në mesin e popullit (…) është Tempulli i Zotit, (…) vendi i pranisë së Zotit, Shenjtorja e gjallë i të Shenjtueshmit.”(8)
Duke pasur parasysh adhurimet e devijuara që bëhen në Krishterizëm, duke adhuruar krijesat e Zotit të Madhëruar, duke i hyjnizuar ato, nuk duhet lënë anash pa e elaburuar çështjen e Nënës së Jezusit, Marinë (Merjemen), gjë që siç e cekëm më lartë, që të krishterët e quajnë Marinë si Nëna e zotit (Teodokos)(9) apo lindësja e zotit të cilët disa sekte krishtere si ajo ortodokse të cilët e adhurojnë dhe bëhet pjesë e Trinisë së Shenjtë e cila zë një vend të veçant.
Për shembull, në kishën ortodokse të lindjes, ikonat e Jezusit, Marisë (nënës së Jezusit), Trinitetin etj. i paraqesin si simbole adhurimi dhe luten me përkushtim dhe besim të veçantë. Një vepër referimi për ortodoksinë greke, shpjegon: “Me besim dhe përkushtim të veçantë, ne nderojmë më të shenjtën Nënën e perëndisë, nënën e zotërisë tonë, dhe kërkojmë mbrojtjen dhe ndihmën e saj”.(10) Një ndër ikonat mund ta vëreni në foto dhe mënyren e shenjtërimit të Marisë dhe një lloj Triniteti:

Në vitin 431 të erës sonë, në Efes u mblodh këshilli i tret ekumenik(11), ku u diskutua se çfarë natyre ishte Krishti… Po ashtu vendimi që u mor në Efes, me anë të të cilit roli i Marisë u lartësua nga bartëse e Krishtit në mbartëse e perëndisë, jo vetëm që hodhi bazën për shëndërrimin e Marisë në një kult, por shkaktoi edhe përçarjen e parë të madhe brenda kishës… Ky debat vazhdon deri në ditët e sotme.(12)

Në librin “Ti afrohemi Jehovait”, shkruan: “Në shekullin e parë të krishterët patën shumë bekime frymore. Por Jezusi dhe apostujt(13) parathanë se adhurimi i vërtetë do të korruptohej e do të humbiste. (Mateu 13:24-30; Veprat 20:29-30) Pas periudhës apostolike doli në skenë i ashtuquajturi krishterim. Klerikët e saj përvetësuan mësime dhe praktika pagane. Gjithashtu, e bënë gati të pamundur afrimin me Perëndinë, duke përshkruar atë si një Trinitet të pakuptueshëm…”.(14) Kisha Zotit i dha formë të njeriut dhe njerëzve ua prezantonte Zotin në fizionomi të njeriut. Nën ndikimin e religjionit krishterë njerëzit, që nga fëmijëria Zotin e paramendonin në këtë trajtë njerëzore dhe materiale.(15) Kështu Krishti Zot ndodh bashkërisht me njeriun historik të Jezusit nga Nazareti. Pra vetë Zoti ka qenë i mishëruar në njeriun përgjatë historisë. Fanatizmi është zell i shërbyesve të Kishës për t’u imponuar njerëzve një hyjni me pamje njeriu.(16) Duke parë që Krishterimi u ndikua më tepër nga fetë pagane dhe doktrinat e saja kishin rite pagane, kjo e shtyri historianin o njohur Will Durant të thoshte: “Krishterimi nuk e shkatrroi paganizmin; e adoptoi atë…”.(17)

Nëse studiohen hollësisht besimet dhe kulturat e lashta na del se çështja e Marisë si “nënë e zotit” është ndikuar më tepër nga fetë pagane. Krishterimi në formën e vet origjinale ka qenë po i njëjti besim në një Zot me të cilin Zoti i ka porositur të gjithë të dërguarit, pejgamberët e Vet që t’ia komunikojnë njerëzimit. Ishin Romakët ata që kur pranuan krishterimin, e kishin të vështirë të hiqnin dorë nga zotërat e tyre mitologjike dhe të bëheshin monoteistë. Gradualisht këto mite u shkrinë brenda krishterimit “zyrtarë”, si p.sh.: Paganizmi u pranua nga kisha dhe nga ajo çdo disident shkishërohej.(18) Këtë madje e pranon edhe vetë pastori i protestantizmit Dr. Fehmi Cakolli ku thotë: “Si në Judaizëm ashtu edhe në Krishterizëm, mund të gjenden elemente pagane. Nuk mund të pandeh se nuk përmban ndonjë element pagan, përkatësisht pa pasur elemente të religjioneve të tjera”.(19)

Gjatë shekullit të 11 para erës sonë (para Krishtit) pasi e pushtuan Efesin (bregu perëndimor i Turqisë së sotme), perandori të ndryshme. Pushtuesit hasen në njerëz që njiheshin për adhurimin e perëndeshës së nënave, një hyjneshë që më vonë do të njihej si Artemisa Efesiane. Kulti i Artemisës kishte lëshuar rrënjë të thella në Efes. Para kohës së mbretit Kres, Cibela, Nëna e perëndive, ishte hyjnesha kryesore që adhurohej në vend. Duke krijuar një lidhje gjenealogjike midis mitit të Cibelës dhe mitit të perëndive greke… nga mesi i shekullit të gjashtë para erës sonë, filloi puna për ngritjen e tempullit të Artemisës, pasueses së Cibelës.(20) Kështu, adhurimi i Cibelës dhe i Artemisës u zëvendësua me adhurimin e Marisë, nënës së perëndisë. Ashtu siç pohohet: “Kulti i Marisë në Efes…. është një traditë që vazhdon të praktikohet deri në ditët e sotme, traditë që nuk mund të shpjegohet pa bërë lidhjen me kultin e Artemisës”.(21) Në parathënien e Eduard Gibonit, në History of Christianity, lexojmë: “Nëse Paganizmi u pushtua nga Krishterimi, është po kaq e vërtetë që krishterimi u korruptua nga paganizmi..(22)
“Adhurimin ndaj Marijës as Bibla vetë nuk na autorizon t’i lutemi asaj. Shumë vetave që i luten Marisë, u është mësuar se mund të bekohen duke përsëritur një sërë lutjesh specifike, si p.sh. lutjen: Ave Maria, Ati ynë, etj. Libri “Simbolet e Katolicizmit” (anglisht) thotë se për katolikët: “forma më e përhapur e adhurimit të Marisë është padyshim ajo me anë të rruzave”.(23)

Po të bëhet me tutje një studim në lidhje me fetë pagane dhe krishterimit, do të vërejmë shumë ngjashmëri gjë që tregon se krishterimi ka qenë shumë i influencuar nga besimet dhe ritet pagane të cilët vetë krishterimi i huazoj dhe iu përshtat besimeve të tyre. Konkretisht mund të cekim, pasiqë jemi duke folur për Marinë, nënën e Jezusit, atëherë mund të vërejmë që ngritja e saj në shkallën e hyjnorës siç pamë më lartë është ndikuar nga fetë pagane, këtë mund ta argumentojmë edhe me disa fakte tjera si p.sh. tek ikonat të cilat shfaqen nëpër kisha dhe manastire në të cilën është e pikturuar Marija duke e mbajtur fëmijën e saj Jezusin në krah, apo diçka të ngjashëm, është një huazim i marrur nga kultet e lashta të perëndive pagane, si:
Perëndesha egjiptase “Hator” shpesh është shfaqur duke e mbajtur fëmijën e saj “Horusin” në krah dhe duke i dhënë gji. Ajo është paraqitur në mënyrë ikonografike në formën e “Marisë” së krishterë, me fëmijën e saj “Jezusin”. Gati në të gjitha provincat e perandorisë romake gjendeshin kultet e perëndeshës së “Izis-it”. Kulti i fundit që mbeti ishte vendi më i shenjtë në ishullin Filë, u mbyll në vitin 560 të e.s. nën urdhrin e perandorit Justinijan (527-565).(24) Në ngjashmëri mund të gjendet edhe tek Perëndesha Babilonase “Semirami” dhe Zoti i personifikuar në bir; gjithashtu tek Perëndesha Indiane “Devka” dhe foshnja e saj “Krishna”; Perëndesha Indiane “Isi” si dhe foshnja e saj “Isvara”, etj.(25) Të gjitha këto janë kulte dhe rituale pagane të cilat më vonë i huazoj krishterimi.
Këto mund ti elaborojmë edhe me fotografi të ngjashme që tregojnë ritualet pagane tek Marija dhe Jezusi(26):

Fotografia e mëposhtme përmbën tri skulpturat që tregon një ngjashmëri të madhe në mes Marisë me Jezusin dhe skulpturave tjera pagane të besimeve tjera. Në të majtë të fotografisë është Perëndesha e Egjiptit Izisi me djalin e saj Horusin, në mes është Maria me djalin e saj Jezusin, ndërsa në të djathtë Perëndesha romake Mater Matuta.(27)

Gjithashtu një ngjajshmeri në mes Marisë me fëmijën e saj Jezusin, mund ta gjejmë edhe tek Budizmi Nëna e zotit me fëmijën e saj, dhe krahasimi i Marisë me Jezusin. (28)

Shumë të krishterë, sidomos katolikët dhe ortodoksët vizitojnë vendet e shenjta që i përshkruhen Marisë (si Efesi në Anadoll dhe Nasira në Palestinë). Në kishë vend të posaçëm kanë portretet e Marisë respektivisht skulpturat e saj. Besimtarët për shpëtimin e tyre i kërkojnë që të ndërmjetësojë.(29) Besohet se Maria, me përfundimin e jetës në këtë botë është ngritur në qiell dhe jeton bashkë me të Birin. Vetë ajo me shpirt dhe me trup është ngritur në qiell. Në Dhjatën e Re nuk ka njohuri definitive për ngritjen e Marisë në qiell. Ky besim bazohet në doktrinën e kishës katolike për shenjtërimin dhe nderimin e Marisë.(30)

Duke parë devijimin e popujve nga rruga e vërtetë dhe ndryshimin e librave të shpallura prej të Madhit Zot. Allahu xh.sh. para 14 shekujsh dërgoi pejgamberin e Tij, të dërguarin e Tij, të fundit Muhamedin s.a.v.s. dhe me fjalën finale të Tij, dërguar njerëzimit. Librat e mëhershme nuk u ruajtën ashtu siç u shpallën. Bibla e sotme është një përzierje e gjurmëve të mbetura të fjalëve të Zotit, me fjalët e profetëve, historianëve, autorë dhe njerëzve të tjerë, që as vet autorët e librave nuk dihen saktësisht.
Feja Islame, Kurani është ai që ringjalli dhe e përtëriu fenë e Isait a.s./ Jezusit dhe fenë e të gjithë të dërguarve të tjerë para tij. Pika kryesore me të cilën Islami apo Kurani ka ardhur, është sqarimi i konceptit të Zotit, e cila është edhe esenca e vërtet e fesë. Koncepti i Zotit në Krishterizëm ka arritur deri në atë shkallë sa që Zoti të krahasohet me vetit dhe cilësitë njerëzore, duke iu shoqëruar Zotit shok, duke i bërë ortak, duke e adhuruar dikë tjetër në vend të tij, gjithashtu duke adhuruar nënën e Jezusit dhe duke e quajtur atë si Nëna e Perëndisë, etj.
Kurani është një udhëzues i cili e ndanë dritën nga errësirat dhe na tregon në mënyrë perfektë, çka mund të besohet, e çka nuk mund të besohet nga Bibla.(31)

Fetë e rreme kanë të përbashkët një koncept bazë lidhur me Zotin: ose pretendojnë se të gjithë njerëzit janë zota, ose se natyra është Zot, ose se Zoti është një pjellë e imagjinatës së njeriut. Pra, mund të thuhet se mesazhi bazë i feve të rreme është se Zoti mund të adhurohet në formën e krijimit të Tij. Fetë e rreme e ftojnë njeriun në adhurimin e krijimit duke e quajtur krijimin ose disa aspekte të tij Zot. P.sh., Pejgamberi Isai a.s./ Jezusi, i ftoi pasuesit e vet të adhuronin Zotin, por ata që pretendojnë të jenë pasues të tij sot i ftojnë njerëzit në adhurimin e Jezusit, duke pohuar se ai ishte Zot.
Nëse marrim Budën, ai ishte një reformator që solli një sërë parimesh humaniste në fenë e Indisë. Ai nuk pretendoi të ishte Zot, e as nuk ua sugjeroi pasuesve të vet që ta shëndrronin në objekt adhurimi. Megjithatë, sot shumica e budistëve, e konsiderojnë atë si Zot dhe i përkulen idhujve të bërë sipas parafytyrimit të tyre për Budën(32).
Duke vënë në zbatim parimin e identifikimit të objektit të adhurimit, ne lehtësisht mund të dallojmë fetë e rreme dhe natyrën e shpikur të origjinës së tyre. Siç ka thënë Zoti i Plotfuqishëm në Kuranin Famëlartë:
“Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që i pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Jusuf 40)
Po ashtu Zoti i Madhëruar në Kuranin librin e Tij të fundit të shpallur Muhamedit s.a.v.s., iu tërhjek vërejtjen njerëzve, sidomos të krishterëve, në lidhje me Jezusin dhe Nënën e tij, ku thotë:
“Mesihu, bir i Merjemes, nuk është tjetër, vetëm se i dërguar; para tij pati shumë të dërguar. Nëna e tij ishte e drejtë (e ndershme). Që të dy ata ishin që ushqeheshin (si njerëzit tjerë). Ja, si u sqarohen atyre argumentet dhe shih pastaj sesi i kthejnë shpinën të vërtetës! Thuaju: A adhuroni pos Allahut atë që nuk mund t’ju sjellë as dëm as dobi? Allahu është që dëgjon (ç’thoni) që di (ç’veproni)”. (El Maide 75-76)
“Dhe kur Allahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos Allahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove; ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!”. (El Maide 116-117)
Komentuesi shqiptarë i Kuranit (Tefsirologu) Hafiz Ibrahim Dalliu, kur i komenton këto ajetet e sures El-Maide 75 dhe ajetin 116-117 thotë: “Zoti e ka bërë të pavlerë besimin e të krishterë me tri mënyra:
 Isai ka nënë. Atëherë, ai njeri që ka nënë, është i krijuar dhe ai që është krijuar, kurrë nuk bëhet Zot.
 Isai dhe e ëma hanë ushqim, dhe ai që ka të tilla nevoja nuk është Zot.
 Isai është i dërguar nga ana e Zotit. Atëherë, Ai njeri që është i dërguar profet nga ana e Zotit, nuk bëhet vet Zot.
Pra, Zoti u thotë të krishterëve se hazreti Isai a.s./ Jezusi, është një pejgamber si të gjithë pejgamberët e kaluar para tij; Zoti, ashtu siç u ka dhënë pejgamberëve të tjerë mrekullira, për të vërtetuar profetësinë e tyre, po ashtu i ka dhënë edhe Isait a.s.; prandaj, ashtu siç nuk u thuhet zot pejgamberëve të tjerë, po ashtu nuk duhet t’i thuhet zot as Isait a.s.. Nëse ata thonë se Isai ka lindur pa baba…, atëherë thuaju atyre: Po, Ademit, që është krijuar pa baba edhe pa nënë, përse nuk i thoni zot? (33)
Ndërsa për ajetet 116-117, thotë: “Pyetja që i madhi Zot, do ti bëjë Isait a.s./ Jezusit, “A ti u ke thënë njerëzve…” është për tu mbyllur gojën të krishterëve dhe për t’ua nxjerrë në shesh se besimi i tyre është i kotë; ndryshe përse duhej të pyeste Zoti, kur e dinte që Isai nuk kishte thënë atë fjalë? Kjo pyetje nuk do të bëhet për të sqaruar ndonjë gjë që nuk di Zoti, por do të bëhet për t’u treguar të krishterëve me gojën e Isait se ata, kanë një besim të kotë”.(34)
Doktrinat themelore të krishterimit nuk bazohen në Bibël, por në mite të lashta-greke, egjiptiane, babilonase dhe të vendeve të tjera. Revista “Christian Century” në numrin e 20-27 Majit, 1998, citon fjalët e një pastori i cili pranon se Triniteti është “një mësim i kishës dhe jo një mësim që erdhi nga Jezusi”.(35) Në fund të fundit, dogma e Trinitetit është një koncept që doli në shekullin e katërt.(36)
Tek Ungjilli i Barnabes(37) theksohen fjalët e Jezusit ku tha:
“Kur Zoti të më marrë nga bota, Satanai përsëri do ta ngre këtë alarmë të mallkuar, ashtu që do të të bëjë që mosbesimtarët të besojnë se unë jam Zot dhe bir i Zotit, për ç‘shkak, fjalët e mia dhe mësimet e mia do të njollosen, ashtu që do të mbesin mezi tridhjetë besimtarë”. (38)

Po ashtu Jezusi tha: “Unë nuk ju kam krijuar, por Zoti, Krijuesi ynë, i cili ju ka krijuar, do t’ju mbrojë. Sa më përket mua unë kam ardhur në botë që të përgatisë rrugën për të dërguarin e Zotit, i cili do t’ia sjell botës shpëtimin. Por, ruani e të mos mashtroheni, ngase do të vijnë shumë profet të rrejshëm, të cilët do t’i marrin fjalët e mia edhe do ta helmojnë Ungjillin tim”. (39)
Profesor Abdul Ahad Davud, më parë i njohur si David Benjamin Keldani, ish prift katolik, kur flet në lidhje me nënën e Jezusit, Marinë dhe për Perëndinë e vërtetë, thekson: “Të proklamosh tri qenie njerëzore në kreun e Perëndisë dhe të rrëfesh se i Gjithëfuqishmi, i Përjetshmi ishte përfytyruar dhe lindur nga Maria virgjëreshë është një fyerje e rëndë e ligjit të Zotit dhe idhujtaria më e madhe”.(40) “Formula e përkujdesjes së krishterë (dëshmia e të krishterit): “Në emër të Atit, Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” , as që e përmend emrin e Zotit! Ky pra është Zoti i të Krishterëve! Ndërsa “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim” (në fenë Islame) që do të thotë: Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit, është në kundërthënie të madhe me formulën e trinisë”.(41)

Mbi gjithë të tjerat, Kurani erdhë që ta largoi njeriun nga adhurimet të ndryshme pagane, ta largoi njeriun nga rruga e shtrembër dhe ti udhëzoi në rrugën e drejtë ashtu siç bënë edhe të dërguarit e Zotit xh.sh.
Orientalistja e famshme Italiane dr. Laura Veccia Vaglieri në librin e saj “An Interpretation of Islam”, ku thotë:
“Pejgamberi Arab, me zërin i cili ka qenë i frymëzuar me lidhje të fortë me Krijuesin e Vet, ua ka predikuar monoteizmin më të pastër adhuruesve të fetishit dhe ithtarëve të krishterimit dhe judaizmit të prishur… Duke iu falënderuar Islamit, paganizmi në të gjitha format e tij të ndryshme qe mundur. Vizioni i kozmosit, ritualet religjioze dhe traditat e jetës shoqërore qenë liruar nga të gjitha lajthitjet, të cilat i patën degraduar, kurse mendimi njerëzorë qe liruar nga paragjykimet. Njeriu më në fund qe i vetëdijshëm për dinjitetin e tyre. I përulej vetëm Krijuesit dhe Sunduesit të mbarë njerëzisë… “. (42)
Kurse Allahu xh.sh. në Kuran i drejtohet Muhamedit s.a.v.s., thuaj atyre që trillojnë:
“Thuaj: “Ata që trillojnë gënjeshtër për Allahun, nuk kanë për të shpëtuar”. Ata kanë një përjetim në dunja, pastaj kthimi i tyre është vetëm te Ne, e Ne do të bëjmë që ata të shijojnë dënimin e dhembshëm për shkak se nuk besonin”. (Junus 69-70) “E ti jobesimtarëve jepju afat, afatizoi ata pak”. (Tarik 17)

Si përfundim iu japim një këshillë Ithtarëve të Librit, sidomos të Krishterëve, duke iu lexuar fjalët e Zotit të Plotfuqishëm ku thotë:
“O ithtarë të librit, përse nuk i besoni ajetet (Kuranin) e Allahut, e duke e ditur të vertetën? O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vërtetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe fshihni realitetin?”. (Ali Imran 70-71)
Gjithashtu jua citoj edhe fjalët nga vet Bibla e tyre ku tregon mashtrimin e bërë ku thotë:
“Ata e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë”. (Romakët 1:25)
Por e vërteta do të dalë njëherë e përgjithmonë në shesh dhe atëherë do tju bëj të lirë dhe ta zgjidhni rrugën e drejt dhe besimin e vërtet në një Zot, ku po ashtu në Biblën e tyre shkruan: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë”. (Gjoni 8:32)

Fusnotat:
1.Po ashtu edhe tek surja Ali Imran 46, tregohet mrekullia që Jezusi duke qenë në djep ju flet njerëzve: “E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve…”
2.PAGAN/IZËM-MI. Besimi në shumë hyjni a perëndi, formë e lashtë e feve, (por edhe e tashme) para kalimit në monoteizëm. (“Fj. i gj. së sotme shqipe”, fq. 1324; shiko më gjërësisht Dr. Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, Prishtinë 2000, fq. 337; dhe poashtu tek: Dr. Ivan Cvitković, “Rječnik religijski pojmova”, Sarajevo 2005, fq. 333)
3.Don Nosh Gjolaj, “Meditime për Trininë e Shenjtë”, Prishtinë 1999-2000, fq. 17
4.Në greqishte, që do të thotë: lindëse e Zotit.
5.Shën Cyrrili, ka lindur në vitin 375, ndërsa ka vdekur me 27 Qershor 444. Ka qenë teolog i krishterë dhe peshkop, sipas “Cyril of Alexandria, Saint.” Encyclopedia Britannica. Encyclopedia Britannica 2007 Ultimate Reference Suite, CD
6.Popović, „Dogmatika Pravoslavna Crkve“, v. II, fq. 233; sipas Qani Nesimi, „Ortoksizmi te shqiptarët“, Tetovë 2005, fq. 165-166
7.Grup autorësh, “Čovječanstvo u potrazi za Bogom”, Brooklyn, New York 1995, fq. 277.
8.Don Nosh Gjolaj, “Meditime për trininë e shenjtë”, f. 23-25.
Ajo po ashtu titullohet edhe “Virgjëreshë”, dhe ka mbetur shtatëzënë nga “Fryma e Shenjtë” e jo me anë të shtatzënisë me palën tjetër, përkatësisht me anë të ndonjë burri. Mohimi i një besimi të tillë e nxjerr besimtarin e krishterë nga feja e tij. Ajo ishte virgjëreshë jo vetëm para lindjes, por edhe pas lindjes. Besohet se ajo me një dhunti të veçantë nga Zoti nuk ka bërë asnjë mëkat, dhe ka qenë e pastër, si para lindjes së Jezusit po ashtu edhe pas lindjes së tij. Këtë mendim e mbrojnë katolikët. Kurse ortodoksët e konsiderojnë se edhe ajo e ka trashëguar mëkatin e parë nga Adami dhe Hava si të gjithë njerëzit e tjerë, por pas lindjes së Zotit ajo u pastrua, nga këtu edhe u bë e pamëkatshme. Ndërkaq te protestantët edhe pas lindjes së Zotit nuk është pastruar për arsye se nuk është përmend asgjë në Dhjatën e Re për këtë çështje. (Shiko: Qani Nesimi, “Ortodoksizmi te shqiptarët”, f. 165-168; dhe Dr. Zija Abdullahu, “Hyrje në studimin e feve”, Dispenc e ligjëratave të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, viti 2008, nëntitulli “Pozita e Marisë”)
9.Don Nosh Gjolaj, “Meditime për Trininë e Shenjtë”, fq. 19
10. “A duhen përdorur ikonat në adhurim?”, (pa autor), Zgjohuni, Revistë mujore, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën Shqipe, 8 Maj 2005, fq. 20
11.Ekumenizëm-i: lëvizja fetare e shoqërore krishtere, e cila synon t’i bashkojë të gjitha kishat krishtere anë mbanë botës; pikëpamja, sipas të cilës të gjitha kishat krishtere anembanë botës duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe të bashkohen me qëllim të këndelljes së vetëdijes fetare krishtere, të kapërcimit të ndasive ndërmjet kishave dhe me qëllim të sigurimit të një ndikimi më të madhë në organet e pushtetit dhe në rrjedhat shoqërore në përgjithësi. (Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, fq. 96)
12. “Aty ku u përplasën adhurimi i vërtet me paganizmin”, Kulla e Rojës, Revistë dy javore, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën Shqipe, Roma, 15 Dhjetor 2004, fq. 28; dhe “A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari?”, Zgjohuni, 8 Shtator 2005, fq. 26
13.Apostull-i (gr. Apostolos- i dërguar)- në përgjithësi: lajmtari, i dërguari, ndërmjetësuesi; ai që është dhënë në mënyrë të sinqertë dhe të zjarrtë pas ndonjë teorie, doktrine, pikëpamje, dogme, ideje, etj. dhe që në mënyrë vetëmohuese përpiqet rreth mbrojtjes dhe veçanërisht rreth përhapjes së këtyre ideve apo pikëpamje, për të cilat është bindur se janë të drejta, të mira, të arsyeshme dhe të dobishme. Sipas Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, fq. 37.
14.Grup Autorësh, “Ti afrohemi Jehovait”, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, shtypur në Roma 2003, nga Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën Shqipe, fq. 80
15.Dr. Murteda Mutahhari, “Shkaqet e animit ndaj materializmit”, Gjilan 1997, fq. 27
16.Prof. Dr. Bekir Topaloglu, “Ekzistenca e Zotit”, Prishtinë 2002, f. 189.
17.Will Durant, “The Story of Civilization:” Part III, “Caesar and Christ”, 1944, (Simon and Schuster, NY) fq. 595, sipas Grup Autorësh, “A duhet të besosh në trinitet”, Shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait, botues Watchtower Bible and Track Society of New York, Roma 1996, fq. 11; shiko edhe, M.A.C. Cave, “Is the Trinity doctrine divinely inspired”, (pa vend botimi) 1996, fq. 25
18.Sejjid Kutub, “Islami dhe paqa universale”, Tetovë 2005, fq. 49
19.Dr. Georges Houssney, “Perënditë paraislame të arabëve”, Prishtinë 2004, fq. 1 (Parathënia e Pastorit Dr. Fehmi Cakolli), poashtu shih edhe tek: Dan Brown, “Kodi Da Vinçi”, Tiranë 2004, fq. 195-196
20.Për më tepër shih; “Aty ku u përplasën adhurimi i vërtet me paganizmin”, Kulla e Rojës, 15 Dhjetor 2004, fq. 26-27
21.Po aty, fq. 28
22. “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 11
23. “A duhet t’i luteni virgjëreshës Mari?”, Zgjohuni, 8 Shtator 2005, fq. 27
24.Gerhard G. Belinger, “Veliki leksikon religije”, fq. 88.
25.Babylon Mistery Religion, fq. 13-15, marrur nga artikulli “Worship of Semiramis”, tek web faqa www.montana.com
26.Babylon Mistery Religion, fq. 13-15, fotografi e marrur nga artikulli “Worship of Semiramis”, tek web faqa www.montana.com
27.Rreth këtyre të dhënave dhe fotografive të tjera shfleto: Grup Autorësh, “Čovječanstvo u potraži za Bogom“, (Njerëzimi në kërkim të Zotit), fq. 277
28.Po aty, fq. 33
29.Ekrem Sarikçioglu, “Historia e Feve – Prej fillimit deri sot”, Shkup 2007, fq. 511
30.Po aty, fq. 511-512
Një katekizëm i të krishterëve botuar në Irlandë tekstualisht e përshkruan trinitetin si të përbërë nga Jozefi (ati i Jezusit), Maria (e ëma e tij) dhe vetë Jezusi. Aty thuhet: “Zemër e Jezuit të adhuroj, Zemër e Marisë të përgjërohem, Zemër e Jozefit e pastër dhe e drejtë; në këto tri zemra e vëndoj besën time” (“What Every Christian Must Know and Do”, Rev. J. Furniss, botuar nga James Duffy, Dublin.) Një trini e njëjtë është gjetur edhe në një vend tjetër në Irlandë. Një pamflet i quajtur “Paschal Duty, St. Mary’s Church, Bishopwearmouth 1859” thoshte si më poshtë nën titullin “Të dashur të krishterë”: “Të bekuar qofshin Jezui, Maria dhe Jozefi. Jezus, Mari dhe Jozef ta jap zemrën time, jetën time dhe shpirtin tim. Jezus Mari dhe Jozef pranoje frymën time të fundit. Amen.” Sipas: “A është Kurani (5:19) gabim kur thotë se të krishterët e konsideronin Marinë si Hyjni?”, shkruar nga MENJ, pasuroi me komente H. Ibrahimi, nga www.islamidhekrishterimi.com.
31.Dallimi më i madh midis Kuranit dhe Biblës qëndron në atë se Kurani vazhdimisht e pohon burimin e tij hyjnor nga Zoti i botës. (Shiko këto ajete: Ali Imran 164; Nisa 82; Nisa 105; Junus 57; Nahl 64; Fussilet 53; Ali Imran 3; Ibrahim 1) Feja Islame është një fe që është e argumentuat me Kuran, ashtu siç u argumentu që Kurani është burim hyjnorë, nga Zoti i Plotfuqishëm, gjë që në Bibël nuk gjejmë ndonjë citat që e argumenton Krishterimin. Askund në Bibël nuk keni për të gjetur se Zoti i drejtohet popullit të Musait ose pasardhësve të këtij populli duke u thënë se feja e tyre quhet Judaizëm, ose u shpall pasuesve të Krishtit se feja e tyre quhet Krishterim. Me fjalë të tjera, emrat Judaizëm dhe Krishterim nuk kanë pasur origjinë dhe miratim hyjnor. Vetëm shumë kohë pas ngjitjes së Jezusit në qiell fesë së tij iu vu emri Krishterim. Ndërsa për Islamin, Kurani thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është islami, e atyre që është dhënë libri, pasi mësuam për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu shpejt do t’I jape llogarinë”. (Ali Imran 19) “E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do ti pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpruarit”. (Ali Imran 85)
Në Haxhin Lamtumirës i cili Pejgamberi s.a.v.s., e ka mbajtur fjalimin e fundit, dhe mbasi e mbajti fjalimin e tij para masës, po në atë ditë Zoti xh.sh. shpalli ajetin e Kuranit : “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El Maide 3) Këto citate të lartpërmendura tregojnë se Kurani përmban pohimin për vulën e autorësisë së Allahut xh.sh., dhe që feja islame është feja me të cilën duhet ti bashkangjitemi. Po ashtu Zoti, jo vetëm që e shpalli Kuranin, por edhe duke qenë se ai duhej të mbetej si mesazh njerëzimit deri në fundin e botës, ai duhej të ruhej ashtu siç është shpallur, edhe premtimi i Zotit për ruajtjen e Kuranit është i mrekullueshëm, ku thotë: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. (El Hixhr 9)
32.Ju preferojë që ta lexoni librin: Ebu Emine Bilal Filips, “Feja e vërtetë e Zotit”, Prishtinë 2006 (fq. 15-16)
33.H. Hafiz Ibrahim Dalliu, “Ajka e Kuptimeve të Kuranit Kerijmit”, Tiranë 2005, fq. 620
34.Po aty, fq. 651
35. “Krishterimi ka tradhtuar Perëndinë dhe Biblën”, “Cili ëshët qëllimi i jetës”, broshurë e botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën Shqipe, Roma 2000, fq. 17; dhe, “Kush është i vetmi Perëndi i vërtetë”, Zgjohuni, 22 prill 2005, fq. 6
36. “New Catholic Encyclopedia” (1967), sipas “Kush është i vetmi Perëndi i vërtetë”, Zgjohuni, 22 prill 2005, fq. 7; dhe M.A.C. Cave, “Is the Trinity doctrine divinely inspired”, fq. 31
37.Ungjilli i Barnabes, është një ungjill të cilin kisha nuk e pranon, për shkak sipas tyre “përmbajtja e tij është e dyshimtë”. Është shumë interesante, se të krishterët kanë treguar zell shumë të madhë për ta fshehur këtë libër. Shekuj me radhë ai është mbajtur larg. Në shekullin e XVI, në bibliotekën e Papa Sixtus-it gjendej një kopje e një përkthimi jo të rëndomtë latin dhe askujt nuk i lejohej që ta prekte. Vetëm në fillim të shekullit të XVIII, kjo kopje ra në dorën e të quajturit John Toland. Më pastaj, duke kaluar nëpër duar të ndryshme, në vitin 1738 arriti në Bibliotekën e Perandorisë së Vjenës. Përkthimi anglisht i këtij Ungjilli u botua më 1907 nga shtëpia botuese Oxford-Clanderen. Por, me të dalë në shitje, vepra shkaktoi një shqetësim në botën e krishterë, ndërsa shumë prijës fetarë e përfaqësues të kishës i kaploi skepticizmi se përhapja e tepërt e librit në fjalë mund të bëhej shkak që feja e krishterë të humbej.
Kudo që në literaturën e krishterë përmendej emri i tij, aty shënohej një kundërkomentim se fjala ishte për një Ungjill fals, prandaj është rekomanduar që të refuzohet. Disa prijës fetarë të krishterë të mangët nga shkenca kanë shkuar aq larg saqë kanë menduar se kjo është vepër e sajuar nga myslimanët. Kështu mundohen të hjedhin dyshimin se Ungjilli i Barnabes është vepër e muslimanëve. Çdo njeri që e lexon, bindet në mënyrë të prerë se ai nuk është shkruar nga dora e myslimanit. Argumenti më i fortë për ti shpallur të pabaza pretendimet e të krishterëve, madje që 75 vjet para ardhjes së Muhamedit a.s. në këtë botë, është përmendja e Ungjillit të Barnabes (Evangelium Bernabe) në listë e përgatitur “Librat e gabuara dhe të kundërt me mendimin fetar” në kohën e Papa Gelasiusit I. A mund ta kishte shkruar në atë kohë ndonjë mysliman këtë Ungjill fals? Arsyeja që e refuzojnë të krishterët këtë ungjill është se në te tregohet qartazi për ardhjen e Muhamedit a.s., për refuzimin e Jezusit si birë te Zotit, apo zot, tregon se Jezusi nuk u kryqëzua por dikush tjetër u kryqëzua në vend të tij, tregon disa parime ashtu siç na urdhëron Kurani Famëlartë, etj. Për më tepër shih, Qani Nesimi, “Dialogu obligim hyjnor”, fq. 158-160; ndërsa për ta kuptuar më mirë çka përmban ky ungjill lexojeni në gjuhën shqipe, Ungjilli sipas Barnabes, përkthyer nga Avdi Berisha, Prishtinë 1998.
38. “Ungjilli sipas Barnabes”, kapitulli 96, përktheu Avdi Berisha, Prishtinë 1998, fq. 82
39.Po aty, kapitulli 72, fq. 64
40.Nazim Juniku, “Porositë hyjnore”, Gjakovë 1996, fq. 126
41.Po aty, fq. 127
42.Ulfe Azizus Samed, “Islami dhe Krishterimi”, fq. 52